Filmi “Social Network” për rrjetin social Facebook, fiton Globin e Artë

  • Zëri Amerikës

Filmi “Social Network” për rrjetin social Facebook, fiton Globin e Artë

Filmi “Social network” për rrjetin social Facebook, fitoi Globin e Artë në ceremoninë e zhvilluar mbrëmë në Beverli Hills të Kalifornisë. Kolin Firth fitoi Globin e Artë për aktorin më të mirë në rrolin e monarkut britanik Xhorxhi i 6-të në filmin “Fjalimi i mbretit”. Natali Portman fitoi çmimin si aktorja më e mirë me portretizimin e një balerine në filmin “Mjelma e Zezë”. Filmi televiziv Glee fitoi çmimin Globi i Artë për serialin më të mirë komedi. Ceremonia e ndarjes së çmimeve të Globit të Artë u zhvillua të dielën në mbrëmje në Los Anxhelos. Këto çmime shihen si barometër i fituesve të çmimeve Oscar, që ndahen në muajin shkurt.

The Social Network fitoi mbrëmë në kategorinë e dramës më të mirë, regjisorit, skenarit dhe muzikës origjinale më të mirë. Këto çmime e bëjnë këtë konkurent një favorit edhe për Çmimet Oskar në muajin shkurt.

Filmi “The Fighter” bazuar në jetën e një boksieri nga Bostoni, nga një familje e varfër nga probleme në fëmijëre e rini, ishte një ndër konkurentët më të fortë në kategorinë e dramës më të mirë. Megjithëse nuk fitoi në këtë kategori, dy aktorë të filmit, Kristian Bale dhe Melissa Leo fituan në kategoritë e aktorit dhe aktores më të mirë në role të dyta për lojën e tyre si vëllai dhe nëna e boksierit në qendër të filmit The Fighter, luajtur nga Mark Wallberg.

“Dua të përshëndes Markun, pasi ai ishte forca që e nxiti realizimin e këtij filmi. Vetëm kur ke një aktor me një interpretim të stoik, si loja e Markut në film, mund të realizosh një rol të tillë” tha aktori Kristian Bejl, kur u ngjit në skenë për të marrë Globin e Artë.

Në kategorinë e aktores më të mirë në rol kryesor në një komedi fitoi aktorja Anet Bening, për interpretimin në filmin "The Children are All Right", ku luan një grua në një marrëdhënie homoseksuale, me të cilën rrit dy fëmijë:

“Jam shumë krenare që isha pjesë e këtij filmi të veçantë për dy gra që janë në një marrëdhënie shumë të ngrohtë dhe përpiqen të rrisin së bashku 2 fëmijë. Falenderoj aktoren Julianne Moore që ma propozoi këtë rol”.

Ndërsa po në kategorinë e aktores më të mirë, por për një film dramatik, u nderua aktorja Natali Portman për interpretimin e një prima-balerine në dramën psikologjike “Mjelma e Zezë”.

Momenti më i paharrueshëm i mbrëmjes ishte nderimi i aktorit Robert De Niro me çmimin Cecil B. Demille për arritje në karrierë. Aktori që njihet si tepër i rezervuar në komentet publike dhe që e ka pohuar edhe vetë se momente të tilla e nervozojnë, këtë radhë foli gjatë dhe plot humor, kur pranoi çmimin.

Ai iu referua shumë filmave të tij në të kaluarën që tani janë lënë në harresë, si dhe disa roleve të fundit komike që nuk janë pritur mirë nga kritika dhe disa bashkëpunëtorë të aktorit.

Çmimet Globi i Artë sjellin për fituesit një vëmendje të re nga publiku që frekuenton kinematë, por përbëjnë edhe një paralajmërim për fituesit e mundshëm të Çmimeve Oskar në muajin shkurt.