Fëmijët pastrehë në Shqipëri, të harruar nga autoritetet

Your browser doesn’t support HTML5

Mbi 2500 fëmijë jetojnë duke lypur të holla, pa një strehë mbi krye, nëpër rrugët e Shqipërisë.

Gjendja e tyre sa vjen e rëndohet dhe masat shtetërore për të ndihmuar familjet e varfëra janë të pamjaftueshme.

Pjesën më të madhe të ndihmës ndaj fëmijëve në situatë rruge e japin qendrat komunitare dhe organizatat joqeveritare.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri: Fëmijët e pastrehë

Shqipëria ka të paktën 2 mijë e 500 fëmijë në situatë rruge, që jetojnë, lypin të holla dhe punojnë nëpër kryqëzime e trotuare në çdo qytet, pa përfituar ndonjë mbështetje themelore nga institucionet shtetërore.

Me prindërit e papunë e të pashkollë, që lëvizin vazhdimisht nga një krahinë në tjetrën, këta fëmijë bëhen viktima të varfërisë, që trashëgohet në familjen e tyre.

Sot është Dita Ndërkombëtare në mbrojtje të fëmijëve në situatë rruge dhe një rrjet i qendrave dhe shoqatave, që u janë kushtuar atyre organizuan tubime për të tërhequr vëmendjen e administratës shtetërore ndaj varfërisë së tyre.

Përveç ndonjë përmirësimi ligjor të kohëve të fundit, gjendja e rëndë e fëmijëve dhe familjeve në situatë rruge vazhdon e njëjtë pa ndonjë përmirësim apo shtim të fondeve përkrah tyre.

Organizata “Save the Children” ngriti disa kohë më parë një qendër për kujdesin ndaj fëmijëve të rrugës dhe ia dorëzoi bashkisë së kryeqytetit, si fillimin e një shërbimi të qëndrueshëm ndaj shtresës më të varfër të Tiranës.

Gjendja e fëmijëve në situatë rruge vahzdon të mbetet e rëndë në të gjithë qytetet e mëdha, ku bashkitë dhe institucionet e tjera janë të pafuqishme përballë nevojave të këtyre familjeve dhe ku mbështetja e vetme për ta janë disa qendra jopublike dhe organizata joqeveritare, që mbahen nga dhurues të ndryshëm.