UASHINGTON - Ekstremistët amerikanë të motivuar nga pikëpamjet racore dhe të ekstremit të djathtë janë angazhuar me aktivistë të huaj me mendime të ngjashme dhe kanë udhëtuar jashtë vendit për t'u takuar me ta, tha kreu i Byrosë Federale të Hetimit në një seancë dëgjimore në Kongres të enjten.
Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha gjatë një dëgjese të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve se agjencia e tij i konsideronte militantët e krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara si ekstremistët vendas me lidhjet më të gjera ndërkombëtare dhe se kanë vendosur lidhjet nëpërmjet mediave sociale përtej kufijve.
Zoti Wray tha se disa ekstremistë të ekstremit të djathtë amerikan kishin udhëtuar në Evropë për t'u takuar dhe ndoshta për t'u trajnuar me aktivistë. Por ai gjithashtu vuri në dukje se shumë prej kërcënime të dhunshme ekstremiste "nuk futen në shporta të këndshme ideologjike".
Komentet e zotit Wray në lidhje me ekstremistët e djathtë amerikanë që udhëtojnë në Evropë pasojnë gjetjet në një version jo-publik të një raporti mbi ekstremistët vendas të botuar së fundmi nga agjensitë e zbulimit amerikan.
Agjenisa e lajmeve Reuters njoftoi se raporti jo-publik tha se shtetas amerikanë kishin udhëtuar për në Ukrainë për të luftuar me forcat pro-ruse kundër qeverisë së zgjedhur të vendit.
Zoti Wray nuk specifikoi se kush ishin ekstremistët e motivuar nga raca që ai përmendi, por raporti thotë se supremacistët e bardhë në Shtetet e Bashkuara janë "faktorët me lidhjet më këmbëngulëse dhe shqetësuese trans-nacionale".
Zoti Wray u tha ligjvënësve se FBI-ja ishte angazhuar në një "përpjekje të vazhdueshme" ndaj kërcënimeve të reja ndaj Kapitolit që u sulmua nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump në 6 janar, si dhe kapitolet e shteteve të ndryshme amerikane. Ai tha se agjencia po merrte "një ortek informatash".
Zyrtarët e zbulimit gjithashtu i thanë komisionit se ata i panë lëvizjet aktuale ushtarake ruse pranë Ukrainës si një "shfaqje të forcës".
Drejtorët e Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes (DIA) dhe Agjencisë Qendrore të Zbulimit (CIA) i thanë Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve se agjencitë amerikane po monitoronin lëvizjet ruse. "Ne të gjithë duhet ta marrim shumë seriozisht shtimin e prezencës së tyre", tha drejtori i CIA-s William Burns.