Shumë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Amerikane që kanë shërbyer në Afganistan, po punojnë pa pushim për të nxjerrë kolegët e tyre afganë nga Kabuli. Ata frikësohen se talebanët do të burgosin ose vrasin përkthyesit dhe familjet e tyre që nuk arrijnë të largohen deri më 31 gusht.
“Unë e shoh si një operacion ushtarak. Sikur jam në terren. Pak gjumë, pak ushqim, shumë mbledhje informacioni dhe pritje,” thotë veterani i ushtrisë amerikane Lou Fraser, i cili çdo ditë angazhohet për një mision – futja e kësaj familjeje 26 anëtarëshe, pothuajse të gjithë gra dhe fëmijë, brenda aeroportit ndërkombëtar të Kabulit.
“Po mundohem të shpëtoj një grup grash e fëmijësh, familjarë të këtyre burrave, për të cilët kam shumë dashuri pas shërbimit të madh që na bënë. Më thyhet zemra”, thotë zoti Fraser.
Burrat të cilët në këtë raportim do t’i identifikojmë me emrat Ali dhe Muhamed, janë ish-përkthyes lufte me të cilët zoti Fraser punoi në Afganistan.
“Si baba, më e rëndësishmja për mua do të ishte që familja ime të arrijë në ShBA”, thotë Aliu.
Veterani Frases i ndihmoi ata të vijnë në ShBA në qershor. Ata kishin bërë plane të fitonin mjaftueshëm para, për të marrë pjesën tjetër të familjes.
Mendonin se kishin kohë. Por Kabuli ra në duart e talebanëve.
“Situata është jashtëzakonisht e vështirë sepse tani marinsat amerikanë dhe talebanët janë 10 metra larg njëri-tjetrit”, thotë zoti Fraser.
Pengesat janë të mëdha.
Veterani Fraser thotë se në disa pamje të siguruara nga një mik në Kabul, shihen forcat amerikane duke hedhur granata çorientuese për të mbajtur njerëzit larg portës së aeroportit.
Ata thonë se familjarët telefonojnë të tmerruar, sepse talebanët u trokasin në dyer, duke kërkuar ata që punuan me amerikanët.
Të enjten ndodhi shpërthimi vdekjeprurës pranë aeroportit.
Fraser dhe gruaja e tij përditësojnë vazhdimisht dokumentet e evakuimit dhe kontaktojnë këdo që mund të ndihmojë.
“Unë thjesht shpresoj dhe sigurohem që fotografitë të jenë të qarta, që koordinatat të jenë të sakta, që gjithçka të jetë perfekte, sepse kam frikë se nëse nuk jemi të saktë misioni nuk do të përmbyllet”, thotë bashkëshortja e veteranit Fraser.
Tani për tani, ata duhet të presin, me shpresën se dikush do ta shpëtojë këtë familje afgane.
- - -
Zëri i Amerikës ka kontaktuar disa zyrtarë ushtarakë në përpjekje për të ndihmuar këtë familje. Ne shpresojmë që ata së shpejti të ribashkohen në Shtetet e Bashkuara.