Raportuesja e parlamentit evropian për procesin e liberalizimit të vizave Tanja Fajon tha sot në Tiranë se shqiptarët duhet të tregojne kujdes të mos përsërisin gabimet e Serbisë dhe Maqedonisë duke kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian pas heqjes se pritshme të vizave.
Këto deklarata zonja Fajon i bëri sot gjatë një takimi me studentë shqiptarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas euro-deputetes, “organizimi i një fushate intensive dhe me shtrirje të gjerë gjeografike është thelbësor për parandalimin e eksperiencave negative të rajonit. Shtimi i kërkesave për azil pas periudhës së verës ka rritur shqetësimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të prekura nga ky fenomen i cili rrezikon suksesin e procesit”, tha ajo.
Pak ditë më parë komisionerja evropiane për cështjet e sigurisë Sesilja Malmstrom i dërgoi një letër Serbisë dhe Maqedonisë duke shprehur shqetësimin për qytetarët e këtyre dy vendeve të cilet po kërkojnë azil, duke paralajmëruar rrezikun e kompromentimit të procesit të liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit.
Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon ka qenë një mbrojtëse e zjarrtë e heqjes së vizave për shqiptarët dhe boshnjakët. Në Tiranë kryetari i Bashkisë Edi Rama i dorëzoi mbrëmë në shenjë mirenjohje Çelësin e kryeqytetit ndërsa sot ajo u prit dhe nga ministri i Brendshëm Lulëzim Basha.