Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë po bashkërendon veprimet për evakuimin e qytetarëve të Kosovës nga Egjipti. Zëvendësministrja në dorëheqje, Vlora Çitaku tha sot se janë mbi 150 qytetarë të Kosovës me qëndrim të përkohshëm në atë vend veri afrikan të trazuar, prej nga deri tash janë tërhequr rreth 50 qytetarë. Tërë operacionet për evakuim, që po mbështeten nga ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Turqisë në Kajro, janë vështirësuar edhe për shkak të problemeve me dokumentet e udhëtimit të shtetasve të Kosovës.
http://www.youtube.com/embed/mldGHSK2AOo
“Identifikimi i saktë i numrit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Egjipt, ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, për mos thënë i pamundur pikërisht për faktin se shumica prej tyre nuk kanë poseduar dokumente të Republikës së Kosovës, ndërsa një numër sish nuk kanë pasur dokumente udhëtimi fare. Ne edhe sot nuk kemi një numër të saktë, ai varion diku mbi 150 qytetarë të Kosovës”, tha ajo.
Sipas informatave që ka Ministria e Jashtme, më 1 shkurt nga Egjipti janë kthyer dy shtetas të Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, 15 të tjerë janë evakuuar për në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa afër 30 të tjerë nëpërmjet Ministrisë së Jashtme të Turqisë. Në operacione është përfshirë edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, afaristi Behgjet Pacolli. Zyrtarë të partisë së tij thanë se ai ka arritur të sigurojë evakuimin e disa shtetasve të Kosovë nga Egjipti për në Jordani.
“Ne e mirëpresim çdo iniciativë qëllimmirë që për qëllim ka shpëtimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ambasadori ynë në Ankara po koordinon aktivitetet me kabinetin e zotit Pacolli”, ka thënë Çitaku.
Zëvendësministrja Çitaku tha se një numër i qytetarëve të Kosovës kanë mbetur në Aeroportin e Kajros për shkak të problemeve me dokumentet e tyre të udhëtimit, një punë që ministria jashtme e cilësoi sfiduese, meqë Egjipti nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Zëvendësministrja Çitaku tha se është herët të thuhet nëse ndryshimet që mund të pasojnë në vendet si Egjipti mund të ndryshojnë edhe qasjen e atyre vendeve ndaj Kosovës.
”Është shumë herët të thuhet nëse ndryshimet eventuale politike në Egjipt dhe Tunizi do të reflektojnë dhe të rezultojnë edhe me ndryshim pozicioni karshi Kosovës. Megjithatë, ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi kontakte me përfaqësuesit edhe të Egjiptit edhe të Tunizisë, por edhe të shteteve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që të bindim ata të marrin një hap të tillë”, tha zëvendësministrja Çitaku.
Pavarësia e Kosovës e kundërshtuar ashpër nga Serbia, është njohur deri sot nga 75 vende të botës. Njohja e fundit ka ndodhur sot nga mbretëria e Omanit, një shtet gati tre milionësh i gadishullit arabik.