Takimi i G8-tës në Kamp David diskutohet eurozona dhe Irani

Udhëheqës të vendeve më të industrializuara të botës po përqëndrohen tek problemet ekonomike të Evropës, në takimin e tyre vjetor ekonomik. Presidenti amerikan Barak Obama kërkon nga përfaqësuesit e G8-tës të përqendrohen tek alternativa që sjellin rritje ekonomike, në diskutimet e tyre për kapërcimin e borxhit që kërcënon Eurozonën.


Shqetësimet ekonomike të 17 vendeve që përdorin monedhën e përbashkët mund të ndikojnë negativisht edhe jashtë Eurozonës, përfshirë edhe tek Shtetet e Bashkuara.

Një ndër shqetësimet kryesore në diskutimet e sotme është kriza e borxheve në Greqi.


Presidenti francez, Fransua Olond tha dje se ai dhe presidenti amerikan Barak Obama kishin rënë dakord se menaxhimi i krizës së borxheve të eurozonës, veçanërisht situata e rëndë ekonomike e Greqisë, janë vendimtare për gjendjen financiare globale. Zoti Olond i bëri këto komente në ambasadën franceze në Uashington pas takimit me homologun e tij amerikan në Shtëpinë e Bardhë.


"Presidenti amerikan natyrisht që nuk është vendimmarrësi për çështjet e eurozonës dhe varet nga eurozona që të gjejë zgjidhje ashtu siç varet nga vetë grekët që të marrin pjesë plotësisht për mbarëvajtjen e tyre", u tha gazetarëve presidenti Olandë.

Megjithatë ai shtoi se ai dhe presidenti Obama kishin rënë dakord se udhëheqësit e G8-tës duhet të bëjnë "çdo gjë në mënyrë që grekët të jenë në gjendje të qëndrojnë në eurozonë dhe ne, shtoi ai, të sigurojmë mbështetjen jetësore për ta për sa i përket zhvillimit ekonomik, që janë tregtia dhe investimet.


Zoti Olond, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të 6 majit, këmbëngul që marrëveshja për masa të ashpra ekonomike evropiane duhet të rishikohet.


Por ai po përpiqet gjithashtu ta bindë zotin Obama dhe udhëheqësit e tjerë të Grupit të Tetëshes se qëndrimi i tij nuk do të përkeqësojë krizën e borxheve. Dy presidentët diskutuan gjithashtu edhe mbi Iranin.


"Ne diskutuam rreth Iranit dhe do të diskutojnë mbi këtë çështje në Camp David. Ne duam të theksojmë vendosmërinë tonë dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë se negociatat mund të zhvillohen dhe t’i bëjnë iranianët që të marrin përgjegjësitë e tyre", tha zoti Olond.


Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius u takua po dje për bisedime me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Rodham Clinton.


Mendohet se prania ushtarake e Francës në Afganistan ishte në krye të rendit të ditës së bisedimeve.


Presidenti Olond i tha homologut të tij amerikan dje se ai do të tërheqë të gjitha trupat luftarake franceze nga Afganistani deri në fund të vitit. Ai e bëri të qartë se nuk do të hiqte dorë nga ky pikësynim që e parashtroi që gjatë fushatës së tij presidenciale, megjithëse Amerika ka caktuar një tjetër afat për përfundimin e luftës në Afganistan.

Udhëheqësit e G8-tës, Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Kanadaja dhe Rusia, vazhdojnë sot bisedimet në takimin në Camp David. Këto takime bëjnë pjesë në një përpjekje diplomatike 4-ditëshe të Presidentit Obama, i cili shkon sot vonë në Çikago për takimin e nivelit të lartë të NATO-s. Zyrtarët e aleancës thanë se ky takim do të përqëndrohet në luftën në Afganistan.


Ndërkohë, dy ditë para fillimit të këtij takimi, Kryetari i Bashkisë së Çikagos, Ram Emanuel shprehu besim në masat e shumta të sigurisë dhe në planifikimet disa mujore për mbarëvajtjen e takimit.


Policia e Çikagos, tha ai është gati të ruajë balancën mes lirisë së shprehjes dhe masave të sigurisë për qytetin e Çikagos. Megjithatë ai e pranoi se "disa situata" të lidhura me bisedimet e NATO-s mund të krijojnë probleme, duke iu referuar me sa duket mundësisë së protestave masive.


Takimi me pjesëmarrjen e 60 kryetarë shtetesh dhe qeverish si dhe 2 mijë e 500 gazetarëve ofron një mundësi të rallë për ta njohur Çikagon në gjithë botën.

Rreth 500 protestues u mblodhën dje mbasdite në qendër të Çikagos. Disa ishin të pakënaqur me përqëndrimin e pushtetit në duart e udhëheqësve të vendeve të NATO-s. Të tjerë ishin aty për të protestuar kundër një sërë çështjesh si politikat e taksave dhe të drejtat e riprodhimit.


E megjithatë shumë të tjerë kishin dalë përjashta, por nuk ishin aspak të kënaqur me vetë protestuesit.


Disa udhëheqës mbërritën dje në Çikago, mes tyre Presidenti afgan Hamid Karzai si dhe presidenti i Turqisë dhe ai i Bullgarisë, ndërsa të tjerët janë tashmë në Uashington për takimin e G8-tës.