Vala e të nxehtit në Evropë

Si turistët, ashtu edhe banorët, po ndjejnë në Evropë valën e të nxehtit të pazakontë. Megjithatë, jo të gjithë janë të pakënaqur nga temperaturat përvëluese. Prodhuesit gjermanë të verës po presin me padurim të mbledhin shumë më tepër rrush se zakonisht, i cili madje mund të bëhet gati për t’u vjelë dy javë më herët. Sidoqoftë, në pjesën më të madhe të Evropës, njerëzit po mundohen të gjejnë mënyra për t’u freskuar. Në një kopsht zoologjik në Çeki kafshëve u japin ushqime të posaçme për t’i ndihmuar të përballojnë të nxehtin.

Në Paris, banorët dhe turistët po përballen me të nxehtin përvëlues dhe temperatura të larta. Shatërvanët janë një mënyrë për t’u freskuar.

“Nuk jemi mësuar me nxehtësi të tillë, por ky është vendi i përkryer për t’u freskuar për pak dhe për të vazhduar ditën”, thotë Sarah Cole, turiste britanike.

“Është e vështirë, por qyteti vazhdon të jetë i bukur, prandaj jemi të kënaqur që ndodhemi këtu, megjithë të nxehtin”, thotë Lorenzo Gesteri, turist italian.

Portugalia dhe Spanja gjithashtu po ndjejnë të nxehtin, ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten.

Banorët e qytetit portugez Amora, pranë Lisbonës, i drejtohen plazhit për t’u freskuar.

“Temperaturat janë shumë të larta, por ne i përballojmë duke ardhur këtu në plazh. Uji është i ftohtë dhe na ndihmon”, thotë David Neves, banor i qytetit Verdizela, të Portugalisë.

“Është vërtet verë, por është tepër nxehtë. Nuk marrim dot frymë”, thotë Ana Silva, banore e qytetit Amora, të Portugalisë.

Në kopshtin zoologjik të Republikës Çeke, gorillave u jepen fruta të ngrira në blloqe akulli.

“U përgatitëm ‘akullore’ të posaçme. I fusim frutat në ujë, të cilin e ngrijmë, dhe ua japim që të freskohen”, thotë Vit Lukas, i kopshtit zoologjik të Pragës.

Por, temperaturat e pazakonta kanë ndihmuar prodhuesit gjermanë të verës. Ata po presin jo vetëm të vjela më të hershme, por edhe sasi më të mëdha dhe fitime.

“Këtë vit do të vjelim që në muajin gusht dhe vera e re do të jetë në dyqane përpara kohe. Tregu mezi po e pret”, thotë prodhuesi i verës Mathias Wolf.

Por, ajo që kënaq prodhuesin e verës mund të jetë e rrezikshme për pyjet e vendit. Specialistët thonë se 30% e bimësisë së pyllit mund të dëmtohet nga i nxehti dhe thatësira, e cila rrit edhe rrezikun për zjarre në pyje.