Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë thonë se gjatë vitit 2011 duhet të forcojnë Euron në mënyrë që të garantohet uniteti i Evropës. 2010-a ishte një vit i vështirë për euron për shkak të krizës në disa ekonomi evropiane. Qeveritë u detyruan të bëjnë shkurtime dhe qytetarët u kundërpërgjigjën me demonstrata dhe greva. Më poshtë do të shohim se ç’parashikojnë analistët për Euron gjatë vitit në vazhdim.
Gjatë vitit të kaluar, kudo në Evropë qytetarët shprehën zemërim për shkurtimet buxhetore, një masë kjo për të stabilizuar euron.
Në Greqi nuk munguan përleshjet në rrugë me policinë, kur qeveria shpalli masa shtrënguese pas paketës së shpëtimit prej 145 miliard euro të Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar.
Demonstratat në Paris dhe Bruksel shënuan fillimin e një dimri pakënaqësish.
Megjithë trazirat, Kancelarja gjermane Angela Merkel, në mesazhin për Vitin e Ri shprehu mbështetjen e saj për euron. "Evropa e Bashkuara është garantuesi i paqes dhe i lirisë sonë. Euroja është baza e begatisë sonë. Gjermania ka nevojë për Evropën dhe për monedhën tonë të përbashkët.”
Në fillim të vitit 2011, Estonia u bë vendi i 17 dhe e para ish republikë sovjetike që i bashkohet euros. Ekonomia e saj relativisht e vogël prej 19 miliard eurosh, nuk pritet të sjellë ndryshim të madh.
Ekonomitë e dobëta evropiane ishin në qendër të vemendjes së një samiti evropian në muajin dhjetor. Udhëheqësit ranë dakord të ndryshojnë traktatin që rregullon marrëdhëniet në Bashkimin Evropian dhe të ngrejnë një mekanizëm për përhershëm për zgjidhjen e çështjes së borxheve kombëtare. Por masat do të hyjnë në fuqi pas tre vjetësh.
Analisti i tregut, Majkëll Hjuson thotë se kjo nuk ishte një zgjidhje.
"Në vështrimin afatshkurtër, asgjë nuk është zgjidhur, pra problemet e borxhit do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2011."
Britania nuk është pjesë e eurozonës por ajo ndihmon në masat e shpëtimit financiar. Studentët britanikë e kanë bërë të qartë ku8ndërshtimin e tyre ndaj masave shtrënguese.
Ata dhe qytetarë të tjerë kudo në Evropë kanë shpallur se do të bëjnë demonstrata të tjera gjatë vitit 2011. Komentatori i çështjeve ekonomike, Hamish McRae thotë se qeverive do t’u duhet të bëjnë hapa të kujdesshme.
"Çështja është se deri në çfarë shkalle mund të përdorësh pushtetin politik për të forcuar bashkimin ekonomik dhe anasjelltas. Të dyja këto duhet të jenë në unison.”
Investitorët po vëzhgojnë për të parë se çfarë hapash ekonomikë do të bëjnë këtë vit udhëheqësit evropianë.
Njëra alternativë është hedhja në treg e eurobondeve për ta shpërndarë rrezikun por ekonomi të tilla të forta si Gjermania dhe Franca janë kundër.
Qytetarët e Gjermanisë vazhdojnë të paguajnë çmimin e shtrenjtë ribashkimit dhe janë të ndjeshëm ndaj kostos që do të kërkonte shpëtimi financiar i më tepër ekonomive të dobta evropiane.