Në orët e pasdites policia e Misionit të Bashkimit Evropian ka kryer një varg bastisjesh përfshirë edhe zyrat e Ministrisë së Transportit dhe të Telekomunikacionit si dhe pronat e familjes së shefit të kësaj ministrie, Fatmir Limaj.
Askush nga zyrtarët e këtij misioni nuk ka pranuar të flasë më shumë për këtë çështje, përveç një njoftimi të mëhershëm në të cilin thuhej se Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës. Kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit të posaçme në Kosovë, thuhet në njoftim në të cilin nuk jepet asnjë hollësi tjetër.
Policia ka bastisur një numër vendesh përfshirë edhe ndërtesën e Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit, që drejtohet nga Fatmir Limaj dhe që është ministria me buxhetin më të madh në qeverinë e Kosovës. Burimet thonë se janë bastisur edhe disa kompani private që kanë qenë fituese të tenderëve të kësaj ministrie.
Nuk ka ende njoftime për motivet e bastisjeve dhe as edhe për personat të cilët mund të jenë të dyshuar për ndonjë veprimtari joligjore.
Policia e Kosovës thotë se kjo është çështje e policisë së EULEX-it, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se nuk ka njohuri të plota rreth aksioneve të policisë së EULEX-it, por nënvizoi se nëse misioni evropian ka argumente “është koha të veprohet dhe të kryhen arrestime ndaj kujtdo që është përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion”.
Në orët e mbrëmjes qeveria e Kosovës është mbledhur në një takim të jashtëzakonshëm më dyer të mbyllura në të cilin morën pjesë edhe shefi i EULEX-it Yves de Kermabon, ambasadori amerikan në Kosovë Christopher Dell si dhe përfaqësues të tjerë diplomatik të vendeve euro perëndimore. Po ashtu, mbledhje e jashtëzakonshme është zhvilluar edhe në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.
Lufta kundër korrupsionit është cilësuar si përparësi e punës së EULEX-it por edhe Qeverisë së Kosovës. Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, ka theksuar se kjo luftë do të jetë e pa kompromis, ndërsa ka kërkuar që sistemi i drejtësisë në vend të reformohet shpejt dhe të kryejë funksionet që i takojnë.