EULEX, qeveria e Kosovës dërgojnë doganierët dhe policinë në vendkalimet kufitare në veri

EULEX, qeveria e Kosovës dërgojnë doganierët dhe policinë në vendkalimet kufitare në veri

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe qeveria e Kosovës, vendosën sot në vendkalimet kufitare në veri, pjesëtarët e doganave dhe të policisë kufitare. Ekipet e përbashkëta janë dërguar atje me helikopterë meqë rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë janë mbyllur në tërësi nga protestuesit serb të cilët kundërshtojnë vendosjen e doganave të Kosovës në kufirin verior me Serbinë.

Forcat e NATO-s po mbajnë të mbyllura dy vendkalimet kufitare, ndërsa në afërsi të tyre janë ngritur barrikada nga serbët lokal. Gjendja raportohet e qetë por e tensionuar. Protesta janë mbajtur edhe në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës, në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare. Udhëheqësit lokal të serbëve thanë se do të vazhdojnë të kundërshtojnë përpjekjet e Prishtinës për të shtrirë autoritetin e saj në veri ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Kosovës.

Protestave u janë bashkuar edhe përfaqësuesit e Partisë Radikale Serbe dhe ata të Partisë Demokratike të Serbisë, të cilët kanë hyrë në Kosovë nëpërmjet rrugëve dytësore, meqë nuk janë lejuar të hyjnë nëpër vendkalimet në Jarinë dhe Bërnjak.

Operacioni i sotëm pasoi skadimin e një marrëveshjeje që kishte arritur KFOR-i me qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë pas dhunës që përfshiu veriun e Kosovës në fund të muajit korrik kur qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme të policisë për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare veriore me Serbinë. Një pjesëtar i policisë u vra ndërsa grupe serbësh dogjën njërin nga vendkalimet kufitare. Që atëherë forcat e NATO-s i shpallën ato vendkalime, zona të kufizuara ushtarake.

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit mbrëmë njoftoi se do të kryejë punët policore dhe doganore në vendkalimet kufitare Jarinë dhe Bërnjak, në përputhje me mandatin ekzekutiv të tij. Në një komunikatë për opinion, autoritetet e këtij misioni thanë se “EULEX-i do të ndihmojë zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për vulat doganore që ishte pjesa e fundit që mungonte për zbatimin e një sistemi të mirëfilltë doganorë”. EULEX-i ka nënvizuar se marrëveshja e cila nuk ka asgjë të bëjë me statusin, është një hap të madh përpara në përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit. Mungesa e funksionimit të sistemit doganorë në të gjithë territorin e Kosovës ka lejuar që veprimtaritë e paligjshme. Operacionet doganore do të kryhen nga doganierët e EULEX-it, në prani të doganierëve të Kosovës, thuhet në njoftimin e këtij misioni.

Operacioni i sotëm është mbështetur nga Bashkimi Evropian i cili e ka cilësuar atë si një hap të rëndësishëm nga i cili do të kenë dobi të gjitha komunitetet.

Reagimet për operacionin e sotëm në veri.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u bëri thirrje serbëve në veri që të mos bien pre e strukturave të mbështetura nga Beogradi dhe të heqin dorë nga barrikadat. Duke e vlerësuar si të suksesshëm operacionin e sotëm për dërgimin e doganierëve dhe policëve të EULEX-it dhe të Kosovës në vendkalimet kufitare veriore, kryeministri Thaçi tha se kjo është pjesë e përmbushjes së detyrimeve të institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj.

“Vendimet dhe veprimet tona nuk kanë qenë dhe nuk janë as sot të drejtuara kundër askujt, kundër asnjë grupi etnik. Përkundrazi ne duam që edhe qytetarëve tanë në veri t'iu ofrojmë mundësi të barabarta dhe shprehim gatishmërinë e plotë që t'iu shërbejmë të gjithëve në mënyrë të barabartë kudo që jetojnë pa dallim etnie”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, autoritetet serbe u bënë thirrje protestuesve serbë që të vazhdojnë me mos dëgjueshmërinë qytetare dhe të mos lejojë shtrirjen e shtetit të Kosovës që Serbia nuk e njeh, në pjesën veriore të Kosovës. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, tha se veprimet e qeverisë së Prishtinës çojnë drejt konflikteve dhe trazirave dhe nuk i ndihmon pajtimit dhe paqes.

“Nuk mund të pranojmë veprime të njëanshme të Prishtinës jo vetëm në veri por edhe në tërë territorin e Kosovës dhe për këtë arsye qytetarët janë të vendosur që në mënyrë paqësore të mbrojnë interesat e tyre të ligjshëm dhe të mos lejojnë shtrirjen e të ashtuquajturit shtet të Kosovës në këto hapësira”, tha ai, duke nënvizuar se qeveria serbe mbështetë në tërësi qytetarët serb në veriun e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se Beogradi duhet t’u jap fund synimeve të tij për të nxitur dhunë në Kosovë.

“Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës e ftoj Beogradin që përfundimisht të heq dorë nga përpjekjet dëshpëruese për të destabilizuar rajonin dhe të pranoj njëherë e përgjithmonë se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e pandarë”, tha kryeministri Thaçi.

Kosova heq ndalesën për importet nga Serbia.

Operacioni i sotëm në veri është pasuar me vendimin e autoriteteve të Prishtinës që në frymën e marrëveshjes me Serbinë për njohjen e vulave doganore të lejohet importimi i mallrave nga Serbia, i cili qe ndaluar më 20 korrik. Zyrtarë të doganave të Kosovës thanë se është lejuar hyrja e maunave me mallra nga Serbia, por ende nuk është regjistruar ndonjë veprim i kundërt.

Më 20 korrik Kosova vendosi ndalimin e importeve nga Serbia ndërsa vendosi taksa doganore shtesë për mallrat nga Bosnja dhe Hercegovina. Ky vendim u morr si kundërpërgjigje ndaj bllokadës që i kishin vendosur këto dy vende Kosovës që nga viti 2008.

Pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina vendosën të mos lejojnë eksportimin e mallrave të Kosovës, pavarësisht marrëveshjes për tregti të lirë ne vendet e Evropës qendrore të njohur si CEFTA.

Qeveria e Kosovës, përshëndeti sot vendimin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës për të pranuar vulat doganore të Kosovës. Por, vendimi duhet t’i dërgohet për miratim presidencës së këtij vendi ku merr pjesë edhe përfaqësuesi i Republikës Serbe e cila ka bllokuar edhe njohjen e Kosovës nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës.