EULEX, akuza ndaj 5 personave mes tyre edhe drejtori i PTK-së

  • Leonat Shehu

EULEX, akuza ndaj 5 personave mes tyre edhe drejtori i PTK-së

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë bëri të ditur se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave në lidhje me një licencë të telekomunikimit.

Në një njoftim të Eulex-it thuhet se aktakuzat kanë të bëjnë me çështjet financiare dhe korrupsionit, lidhur me një licencë të telekomunikimit. Në qendër të hetimit është bartja e një licencë e telekomunikimit të një operatori për rrjetin mobil virtual në vitin 2007 – 2008, ndërmjet kompanisë private Dardafon dhe Postës dhe Telekomit të Kosovës, që dyshohet se është bërë në mënyrë të paligjshme.

Në mesin e pesë personave të akuzuar gjendet edhe shefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës Shyqri Haxha dhe Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së Rexhë Gjonbalaj, të cilët akuzohen për lidhjen e kontratave të dëmshme, shpërdorimin e pozitës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

Ndërsa tre të akuzuarit e tjerë akuzohen për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim i besimit, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar.

Këto akuza ndodhin në një periudhë të përgatitjeve të autoriteteve për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës në përpjekje për të nxitur investimet e huaja aq të nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.