EULEX kryen operacion kontrollesh në veriun e Kosovës

EULEX kryen operacion kontrollesh në veriun e Kosovës

Njësitë e posaçme të policisë së Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, të mbështetura nga trupat e NATO-s, kryen sot në veri të Kosovës një operacion në kuadër të hetimeve mbi ngjarjet e dhunshme të muajit korrik, gjatë të cilave humbi jetën një pjesëtar i policisë së Kosovës. Zyrtarë të këtij misioni thanë se gjatë operacionit janë bastisur katër shtëpi private dhe me këtë rast janë konfiskuar prova përfshirë edhe armë. Ata thanë se tashmë ka gjashtë urdhër arresti të ngritura ndaj personave që dyshohet se janë të përfshirë në vrasje, ndërsa paralajmëruan përsëritjen e operacioneve të ngjashme.

Lidhur me operacionin e sotëm, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, foli para deputetëve të Parlamentit duke e akuzuar Beogradin se qëndron “prapa strukturave kriminale në veri të vendit”. Ai tha se gjatë operacionit “janë konfiskuar fakte të funksionimit të strukturave paligjshme e paraushtarake si dhe armatim, i cili është shfrytëzuar gjatë veprimeve të tyre terroriste”. Kryeministri Thaçi tha se institucionet vendase e ndërkombëtare janë të vendosura për shtrirjen e sundimit të ligjit edhe në veriun e Kosovës.

Në veri, përfaqësuesit lokal të serbëve reaguan ndaj operacionit të sotëm duke i akuzuar autoritetet ndërkombëtare se po përpiqen të frikësojnë popullatën serbe duke e detyruar që të shpërngulet prej andej. Gjatë kohës së operacionit grupe serbësh kanë protestuar kundër veprimeve të forcave ndërkombëtare.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë Boris Tadiç, ka deklaruar se “Serbia i mbështetet operacionet e KFOR-it e EULEX-it, në veriun e Kosovës nëse ato kanë për qëllim luftën kundër krimit dhe nëse zhvillohen në kuadër të statusit të paanshëm të këtyre misioneve ndërkombëtare”. Ai u ka thënë medieve serbe se ka marrë garanci nga misionet ndërkombëtare se operacioni i sotëm synon luftën kundër krimit dhe Beogradi nuk ka asnjë arsye që të bëjë vërejtje për një gjë të tillë. Ai është shprehur ndërkaq i brengosur me siç ka thënë, deklaratat e kryeministrit të Kosovës mbi veprimtaritë terroriste në veri.

Operacioni i sotëm ndodhë një ditë pasi që Komandanti i forcave paqeruajtëse gjenerali gjerman Erhard Buhler i kishte thënë agjencisë së lajmeve Associated Press, se tensionet në veri mund të rriten në pritje të arrestimeve të të dyshuarve për përfshirje në aktet e dhunës. “Mendoj në reagime të ashpra siç janë demonstratat, bllokimi i rrugëve, pengimi i lëvizjes së lirë të trupave, retorikë e të tjera”, ka thënë gjenerali Buhler duke nënvizuar se njerëzve në atë zonë duket shpjeguar qëllimin e operacioneve.

Zyrtarë të EULEX-it u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në përpjekjet për të vënë para drejtësisë kryesit e krimeve të fundit në veri.

Pjesëtari i njësive të posaçme të policisë së Kosovës Enver Zymberi u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut, një komunë e banuar me shumicë serbe, pak pas fillimit të operacionit të qeverisë së Kosovës për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare me Serbinë. Grupe serbësh dogjën edhe njërin nga vendkalimet kufitare. Dhuna bëri që kontrollin në vendkalimet kufitare në veri ta marrin përsipër forcat e NATO-s të cilat i shpallën ato vendkalime si zona të kufizuara ushtarake. Kjo situatë pritet të zgjasë, sipas paralajmërimeve të zyrtarëve të NATO-s, deri në fund të muajit shtator.

Komandanti i KFOR-it i ka shpjeguar sot shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Miloje Miletiç, regjimin e kontrollit te kufijve verior ku lëvizja mbetet e kufizuar për shkaqe sigurie.

Komandanti i KFOR-it ka theksuar se zhvillimet e fundit do të ushtrojnë ndikim edhe në shtyrjen e planeve të NATO-s për shkurtimin e mëtejmë të trupave paqeruajtëse në Kosovë.