Borrell: Shpresoj për një takim Kurti – Vuçiç para fundit të vitit

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për një takim para fundit të vitit.

Pas takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, zoti Borrell tha se pjesë e diskutimeve ishin edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Shpresoj të kemi edhe një takim në nivelin e lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, para fundit të vitit. Kjo është ftesa ime për ta”, tha zoti Borrell.

Ai tha se ministrat e Jashtëm presin që Prishtina dhe Beogradi të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime, ndërsa shfaqi shpresën për përkushtim të palëve për të hedhur hapat tjerë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Kosova dhe Serbia kanë ngecur në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane dhe të dy udhëheqësit janë takuar dy herë, por pa ndonjë përparim.

Delegacionet e të dyja palëve pritet të takohen të martën për të diskutuar mes tjerash zbatimin e marrëveshjes për përdorimin e targave të automjeteve, mospajtimet rreth të cilave çuan në tensione të larta në fillim të vjeshtës.

Lexoni edhe këtë Arrihet marrëveshja për krizën në veriun e Kosovës

Ministrat e Jashtëm diskutuan të hënën për situatën në Bosnjë dhe shprehën shqetësimin se, siç tha zoti Borrell, “disa udhëheqës po përdorin retorikën e ndarjeve dhe nacionalizmit”.

Bosnja ndodhet në një periudhë tensionesh të nxitura nga veprimet udhëheqësit të serbëve, Milorad Dodik, i cili shpreh hapur synimet për ndarjen e vendit.

Lexoni edhe këtë Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar: Serbët po përpiqen të shpërbëjnë Bosnjën

Zoti Borrell tha para takimit se situata e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor nuk është e mirë, por mohoi mundësinë e ndonjë situate konflikti.

Zoti Borrell tha se nuk pati debat në takimin e sotëm rreth hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veirut për anëtarësim në BE, por shfaqi shpresën që kjo të ndodhë para fundit të vitit.

“Duke mos e bërë këtë do të ketë ndikim negativ në besueshmërinë e BE-së dhe tërë rajonit”, tha zoti Borrell.

Hapja e negociatave është bllokuar nga Bullgaria e cila ka ngritur kundërshti lidhur me gjuhën dhe trashëgiminë historike të Maqedonisë së Veriut.

Duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë trajtuar së bashku në këtë proces, shtetet anëtare nuk kanë preferuar që t’i ndajnë ato nga njëra tjetra në këtë fazë.