Bislimi: Nuk ka arsye për takim të nivelit të lartë politik Kosovë – Serbi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të mërkurën se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, siç ishte planifikuar më herët.

Zoti Bislimi i cili drejton grupin negociator të Kosovës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i bëri këto komente në Bruksel pas takimit me palën serbe me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian Miroslav Lajçak.

"Nuk ka përparim të mjaftueshëm, të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha zoti Bislimi.

Të dyja palët thanë se është shënuar përparim në diskutimet rreth çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës, por nuk ka pasur përparim në çështjet tjera.

I dërguari evropian, Miroslav Lajçak, shkroi në rrjetet sociale se “qëndrimet për një numër çështjesh urgjente mbeten shumë të largëta. Shumë punë përpara”, shkroi ai.

Grupet negociuese pritet të takohen në fund të muajit tetor për të vazhduar diskutimet nga të cilat varet nëse do të ketë takime të nivelit të lartë politik.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është mbajtur më 19 korrik, por pa ndonjë përparim.

Lexoni edhe këtë Bisedimet Kosovë-Serbi përfundojnë pa asnjë pajtim dhe me akuza të ndërsjella

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.