Bisedimet Kosovë – Serbi, të hënën në nivel ekspertësh

Your browser doesn’t support HTML5

Hoti: Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe - temë e mbyllur

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten mbrëma se shefat e ekipeve negociuese të Kosovës dhe Serbisë do të takohen të hënën në Bruksel, për të vazhduar diskutimet për çështjen e pronave dhe ato financiare.

Në një postim në rrjetin social Twitter, zoti Lajçak tha se “asociacioni nuk do të jetë në rendin e ditës meqë njëra palë nuk është ende e gatshme për të diskutuar. Por kjo duhet të trajtohet si pjesë e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse siç është rënë dakord në takimet e udhëheqësve”, shkroi ai.

Mospajtimet për rendin e ditës bënë që të anulohen planet për një takim të hënën në nivelin më të lartë politik.

Serbia kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, hodhi poshtë çdo mundësi për të diskutuar për këtë çështje.

“Kjo temë nuk diskutohet sepse është e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër e parimeve e 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen e vitit 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut. Nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel, do ta shohim në ditët e ardhshme, por ne jemi të vendosur të çojmë përpara procesin e dialogut sepse është interes strategjik i Kosovës, i regjionit, i Evropës që sa më shpejt të përmbyllet kjo çështje në mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjithë regjioni të udhëtoj drejt integrimeve evropiane”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se Serbia është e gatshme për bisedime, por sipas tij Asociacioni i komunave serbe është temë e pashmangshme dhe se Beogradi do të ngulë këmbë për këtë çështje.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

“Besoj që kompromisi më i madh që e kemi bërë është që të pranojmë të futemi në proces të dialogut ky është kompromisi dhe kompromisi që të arrijmë një marrëveshje për paqe me Serbinë dhe gjithashtu ju i dini vendimet, ato kanë qenë kompromise për këtë qeveri, vendimet në fillim të mandatit të heqjes të disa që u cilësuan si pengesa për proces të dialogut, tarifa 100 për qind dhe pastaj masat e reciprocitetit dhe vendimet tjera që ne i kemi marr menjëherë, vendime shumë jo popullore por në koordinim me miqtë tanë ndërkombëtarë në mënyrë që t’i japim rrugë procesit të dialogut, ky është kompromisi”, tha kryeministri Hoti.

Në fillim të këtij muaji, Kosova e Serbia nënshkruan një dakordim në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, ndërsa çështjet politike kanë mbetur në duart e Brukselit, zyrtarë të të cilit thanë se presin vazhdimin e bisedimeve por pa saktësuar se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.