Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i dhanë fund takimit të sotëm në Bruksel, që ishte takimi i parë ballë për ballë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Pas takimit kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se çështja e të zhdukurve dhe zhvillimi ekonomik ishin temat kryesore të takimit. Ai shprehu besimin se “është shënuar përparim edhe tek tema e zhvillimit ekonomik, detajet e të cilave do t’i merrni vesh ditëve në vijim”.
Ai tha se synimi i qartë i këtij procesi “është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se kryeministri Hoti kërkoi “hapjen e arkivave të policisë serbe dhe në atëherë kërkuan që të hapen arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Ai tha se bisedimet për personat e zhdukur dhe të zhvendosur do të diskutohet të mërkurën e ardhshme në nivelin teknik.
Ai tha se bisedimet do të jenë të vështira sepse Serbia nuk bisedon vetëm me shqiptarët por edhe me BE-në dhe vendet më të fuqishme evropiane.
I dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, e vlerësoi me rëndësi takimin dhe përkushtimin e të dy udhëheqësve që bisedimet të intensifikohen në nivel ekspertësh që nga java e ardhshme. Të dyja palët janë pajtuar tha ai që takimi i radhës i nivelit të lartë të mbahet në muajin shtator.
Takimi i sotëm pasoi një video-konferencë që u mbajt të dielën me të cilën u shënua edhe rifillimi i bisedimeve të pezulluara që nga vjeshta e vitit 2018.
Your browser doesn’t support HTML5
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha para takimit se është “i kënaqur të shoh se Bashkimi Evropian është rikthyer në timonin e procesit. Presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës janë sot me ne në Bruksel për takimin e parë ballë përballë”, tha ai duke theksuar se duke u takuar për të dytën herë në një javë, “të dy udhëheqësit dëshmuan përkushtimin e vendosur për bisedimet e lehtësuara nga BE-ja ndërmjet tyre dhe unë e mirëpres këtë”.
Ai u bëri thirrje të dyja palëve “që t’u qasen bisedimeve të sotme në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit dhe duke pasur në mendje të ardhmen evropiane të qytetarëve të tyre në Kosovë dhe Serbi”.
I dërguari i posaçëm e Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se me takimin e së dielës procesi u kthye në binarë pas 20 muajsh.
Diskutimet e sotme u mirëpirtën edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Charkes Michel, i cili takoi udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë para fillimit të takimit.
Të premten e kaluar Kosova dhe Serbia diskutuan në një video konferencë të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe aty u pajtuan për rifillimin e bisedimeve por nuk u pajtuan në asnjë pikë për rrugët e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Kryeministri i Kosovës, tha gjatë asaj konference se “tërësia tokësore e Kosovës është e pa negociueshme dhe se një marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të çojë në njohje të ndërsjellë”.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cilësoi si ultimatum qëndrimet e tilla, ndërsa shprehu siç tha gatishmërinë e Beogradit për të hedhur hapa të vegjël.
Lexoni edhe këtë Pas video konferencës së Parisit, Kosova dhe Serbia vazhdojnë bisedimet në Bruksel
Takimi i fundit në Bruksel ishte mbajtur më 8 nëntor të vitit 2018 ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandër Vuçiç. Por, bisedimet u pezulluan pasi që qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzoi rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave por qeveria e ish kryeministrit Haradinaj i rezistoi trysnisë ndërkombëtare për heqjen e tyre.
Më 31 mars të këtij viti ish kryeministri Albin Kurti vendosi heqjen e tarifave dhe zëvendësimin e tyre me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, një vendim që u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara që kërkonin heqjen tërësishme të pengesave për rifillimin e bisedimeve. Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, qeveria e re e kryeministrit Hoti hoqi të gjitha pengesat.
Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Lexoni edhe këtë Përfundoi intervistimi i presidentit Thaçi në HagëPublikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.
Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh, një pjesë e madhe e të cilave nuk janë zbatuar kurrë.