Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, tha të martën se raundi i dytë i votimeve për kryetarët e komunave, që u mbajt të dielën, “ishte i administruar mirë dhe konkurrues”. Këto komente u bënë dy ditë pas raundit të dytë të zgjedhjeve që u ndoqën pos tjerësh nga disa dhjetëra vëzhgues të këtij misioni.
“Vëzhguesit e Bashkimit Evropian i kanë vlerësuar votimet dhe numërimin pozitivisht. Procesi i votimit është vlerësuar “shumë i mirë’ apo ‘i mirë’ në të gjitha vendvotimet e vizituara të 21 komunave që ishin në zgjedhje dhe po ashtu, numërimi është vlerësuar ‘i mirë’ dhe ‘shumë i mirë’ në të gjitha qendrat e votimit”, tha gjatë paraqitjes së vlerësimeve paraprake udhëheqësi i këtij misioni, Lukas Mandl.
Ai tha se fushata që u parapriu zgjedhjeve ishte e qetë, ndonëse toni i saj ishte më i ashpër se sa në raundin e parë. Ai numëroi disa nga shqetësimet e ngritura në kohën e fushatës.
“Kandidatët kanë bërë fushatë shumë më herët se sa fillimi zyrtar i saj. Kandidatët janë shoqëruar nga udhëheqësit e partive kryesore përfshirë edhe kryeministrin dhe ministrat e tij. Mes dy raundeve, qeveria shpalli një rritje të përkohshme të përfitimeve sociale, gjë që çoi në akuza të opozitës për blerje indirekte të votës”, tha ai.
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve tha se edhe në këto zgjedhje ka munguar transparenca lidhur me financimin e fushatave të kandidatëve dhe kjo çështje duhet të trajtohet në të ardhmen.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, certifikoi të martën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendet Komunale që u mbajtën më 17 tetor, ndërsa tha se është duke bërë përgatitje për fillimin e numërimit të votave të hedhura me kusht dhe të dërguara me postë. Këto vota nuk pritet të ndryshojnë rezultatet përfundimtare përveç të dy komuna; atë të Dragashit dhe Junikut
Lexoni edhe këtë Lidhja Demokratike fituese e zgjedhjeve në PrishtinëSipas rezultateve të të dyja raundeve të zgjedhjeve, Lista Serbe ka fituar dhjetë komuna, e pasuar nga Partia Demokratike me 9, Lidhja Demokratike shtatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe lëvizja Vetëvendosje 4 komuna.
Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, partitë opozitare shënuan rritje përballë lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, e cila pësoi një goditje duke humbur edhe Prishtinën dhe Prizrenin, dy komunat më të mëdha të Kosovës.
Lexoni edhe këtë Analistët komentojnë rezultatin e zgjedhjeve lokale në KosovëKryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të martën se partia e tij është duke diskutuar çështjet që çuan në këto rezultate.
“Ajo që tashmë është e qartë dhe doli nga takimi i mbrëmshëm, që kishim, është se në subjektin tonë politik, i cili është rritur tejmase në 3-4 vjetët fundit, ka defekte strukturore dhe organizative. Nuk kemi struktura që i përgjigjen madhësisë dhe zgjedhjet e fundit të brendshme i kemi mbajtur në janar të vitit 2018. Kjo është një pjesë e shpjegimit për mungesën diku të funksionimit e diku të efikasitetit të strukturave tona, pra ka defekte të brendshme”, tha ai duke ritheksuar se një faktor tjetër ishte edhe bashkërendimi i partive tjera kundër lëvizjes Vetëvendosje, e cila 14 shkurt të këtij viti në zgjedhjet parlamentare, fitoi mbi 50 për qind të votave.