Udhëheqësit e Bashkimit Evropian të martën në mëngjes u morën vesh për një buxhet shtatë vjeçar prej 1 trilion eurosh për BE-në dhe një paketë për nxjerrjen nga kriza të vendeve të goditura më rëndë nga COVID-19 prej 750 miliardë eurosh.
Fondet për luftën kundër koronavirusit do t’u ndahen vendeve më të goditura në formë kredish dhe grantesh.
Marrëveshja pasoi katër ditë e katër net diskutime të zgjatura gjatë të cilave pika qendrore ndarëse ishte mospajtimi i disa prej vendeve më të pasura, përfshirë Holandën dhe Austrinë .që kërkonin kontroll më të rreptë të shpenzimeve, ndërsa të tjerët si Spanja dhe Italia kërkonim zvogëlim të kufizimeve.
Në fund udhëheqësit arritën një kompromis që 390 miliardë euro të ndahen si grante të pakthyeshme ndërsa 360 miliardë të ndahen si kredi me kamata të ulta.
Kryeministri holandez Mark Rutte, e cilësoi marrëveshjen “një paketë e mirë që mbron interesat e Holandës dhe që do ta bëjë Evropën më të forte”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e vlerësoi paketën si një sukses për të 27 vendet anëtare dhe "marrëveshjen, të duhur për Evropën tani".
Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha, se "kemi hedhur themelet financiare për BE-në për shtatë vitet e ardhshme dhe I dhamë një përgjigje kësaj krize, ndoshta më të madhes të Bashkimit Evropian."
Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi “ditë historike për Evropën”.
Parlamenti Evropian duhet të miratojë marrëveshjen.
Vendet e BE-së kanë konfirmuar 135 mijë vdekje nga COVID-19, me Italinë, Francën dhe Spanjën që radhiten në mesin e vendeve me numrin më të lartë të viktimave në botë.
Mbyllja e detyruar nga shumë qeveri për të frenuar përhapjen e virusit kanë dëmtuar ekonominë e BE-së, dhe ekonomistët parashikojnë një tkurrje prej 8.3 për qind.