Thaçi e Vuçiç kërkojnë mbështetje për marrëveshje që mund të lëvizë edhe kufijtë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan të dielën mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Të dy presidentët përveç që qëndruan përkrah njëri tjetrit në një debat në kuadër të punimeve të forumit të Alpbachut në Austri, mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimorë, janë takuar edhe veçmas në margjinat e forumit bashkë me kancelarin austriak Sebastian Kurtz dhe Komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një konferencë me gazetarë të dielën se Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hir të paqes dhe t’i japin fund një konflikti prej një shekulli.

Ai tha se të dyja vendet janë të përfshira në një proces shumë të vështirë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

"Ne tani kemi hyrë në fazën përfundimtare të këtij procesi dhe kemi nevojë për mbështetje të plotë nga BE-ja, shtetet anëtare të saj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare që të arrihet një marrëveshje potenciale ligjërisht detyruese midis Kosovës dhe Serbisë".

Ai tha se pa këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia do të bllokojnë njëra-tjetrën në përparimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe rajoni do të vazhdojë të vuajë nga rreziku i paqëndrueshmërisë.

"Dëmet nga mosarritja e marrëveshjes do të jenë të larta, por përfitimet në rast të arritjes së saj janë shumë më të larta, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, për rajonin dhe BE-në, por edhe më gjerë. Prandaj, ne kemi vendosur të shqyrtojmë çdo mundësi për të gjetur zgjidhje kreative dhe për të arritur një marrëveshje të pranuar reciprokisht".

Ai tha se të dyja palët janë të vetëdijshme për nevojën që qëndrueshmëria dhe paqja në Ballkanin Perëndimor duhet të ruhen me çdo çmim.

"Kjo është arsyeja pse ne duam të sigurojmë shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit. Nëse kështu do të ndodhë, Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hir të paqes dhe t’i japin fund një konfliktit prej një shekulli", tha presidenti Thaçi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se duhet të zgjidhen problemet me shqiptarët për hir të të dy popujve që janë dy kombet më të mëdha në rajon, por edhe për hir të gjithë rajonit.

Shpresoj tw arrijmë një marrëveshje të qëndrueshme, tha ai, "ndonëse ende jam shumë pesimist sepse i shoh gjithë vështirësitë me të cilat përballemi dhe nuk jam i sigurt nëse njerëzit në Beograd e në Serbi do të mbështesin çfarëdo marrëveshje, por do të bëjmë më të mirën për të zgjidhjen një çështje që po zgjatë tashmë 200 vjet".

Por, kjo nuk mund të arrihet pa mbështetjen e gjithë Bashkimit Evropian, tha ai duke nënvizuar se marrëveshja duhet të jetë e dhimbshme për të dyja palët.

"E përbashkëta jonë është se duam të gjejmë rrugën për një marrëveshje që ka të bëjë me njerëzit tanë dhe të ardhmen e tyre. Kemi folur shumë për rrugën tonë evropiane dhe kjo do të ishte qershia mbi tortë, por paqja e qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është arritje e madhe dhe për këtë po punojmë", tha ai duke nënvizuar se nuk mund të flasë për hollësi rreth marrëveshjes së mundshme.

Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, tha të dy presidentët janë të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje që do t'i ndihmojë qëndrueshmërisë së rajonit, ndërsa theksoi se takimi në Alpbach i ka krijuar ndjenjën e një çasti historik.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha se çfarëdo zgjidhje që të arrihet, Bashkimi Evropian nuk duhet të përjashtojë asgjë, por duhet të respektohet synimi i përbashkët që është qëndrueshmëria në rajon dhe që nuk do të nxisë ide shtesë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen më 7 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini për të vazhduar diskutimet për një marrëveshje normalizimi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tashmë e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Të premten, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë, ndërsa shprehu bindjen se këtë nuk do ta kundërshtojë as Bashkimi Evropian.

Më 13 gusht, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor, një qëndrim që është shprehur edhe nga Britania e Madhe.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.