Në Kosovë, policia bëri të ditur se një shqiptar është vrarë në rrethana të paqarta në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe.
Policia tha se viktima është qëlluar me armë zjarri në afërsi të shtëpisë së tij në lagjen e njohur si “Kodra e Minatorëve”, një lagje e banuar edhe me shqiptarë.
Zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se policia ka filluar hetimet intensive dhe është vënë në kërkim të një makine pa targa e cila është parë në vendin e ngjarjes. Por ai nënvizoi se është ende herët të flitet për motivet apo autorët e mundshëm të kësaj vrasjeje.
Burimet vendase thanë se i vrari është Hakif Mehmeti, një banor lokal i cili një kohë kishte punuar si kameraman në mjetet e informimit ne Mitrovicë.
Veriu i Mitrovicës i banuar me shumicë serbe është skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës, ndërsa ndarjet e thella etnike në këtë qytet të ndarë në dy pjesë që nga përfundimi i luftës janë burim tensionesh në atë pjesë të Kosovës.