Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha të mërkurën se asnjë kërcënim nuk mund ta pengojë Turqinë të eksplorojë për burime natyrore në Mesdheun lindor, duke shtuar se Ankaraja shpreson që aktorët në rajon të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve.
Greqia dhe Qiproja janë në mosmarrëveshje me Turqinë lidhur me disa zona detare që mund të jenë të pasura me burime natyrore dhe mbi të cilat palët kanë pretendime.
Anijet turke për eksplorimin e naftës dhe gazit ndodhen aktualisht në zonat e pretenduara nga të treja vendet.
Të martën, Qiproja tha se ishte e gatshme të punonte me të gjitha vendet fqinje në përcaktimin e kufijve detarë.
"Turqia është e vendosur të kërkojë deri në fund të drejtat e saj në Mesdheun lindor," tha zoti Erdogan në një fjalim në Ankara.
"Asnjë fuqi apo kërcënim kolonialist nuk mund ta pengojë vendin tonë të eksplorojë burimet e naftës dhe gazit natyror që besohet të jenë në rajon," tha ai, duke shtuar se Ankaraja dëshiron ta zgjidhë mosmarrëveshjen përmes dialogut dhe diplomacisë, në vend të shkallëzimit të tensioneve.