Të enjten Parlamentit Evropian, votoi me shumicë votash në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Votimi në parlament u hap rrugën bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje, të cilat do t'i zhvillojë raportuesja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, e cila u zotua se do të punojë pareshtur për këtë çështje.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, tha se votimi i sotëm është një hap më afër regjimit të udhëtimit pa viza për Kosovën. "Shpresoj se Këshilli Evropian do të ndjekë shembullin tonë. Qytetarët e Kosovës meritojnë mundësi të njëjta"
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi pas votimit: "Urime qytetarë të Kosovës! Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Evropë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Evropian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë".
Votimin e përshëndeti edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. "Shyqyr që Parlamenti Europian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën!Kosova mbetet dhe për pak kohë i vetmi vend me viza për në Europë, por kjo e sotmja është një hap për t'u përshëndetur sidoqoftë", shkroi ai.
Më 18 korrik, Komisioni Evropian, kishte dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet nga procesi i dialogut për këtë çështje.
Your browser doesn’t support HTML5
Propozimi i parë nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të këtij viti.
Qytetarët e Kosovës aktualisht janë të vetmit në rajonin e Ballkanit perëndimor që duhet të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.