AMSTERDAM, 18 mars -Agjencia Evropiane e Barnave tha të enjten se është ende i bindur se përfitimet që sjell vaksina e AstraZeneca-s kundër COVID-19-s janë më të mëdha sesa rreziqet, pas një hetimi mbi njoftimet se vaksina kishte shkaktuar probleme me gjakun, duke nxitur më shumë se 12 vende të ndërpresin përdorimin e saj.
Lajmi vjen ndërsa drejtoresha e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) Emer Cooke tha se enti regullator nuk mund të përjashtonte përfundimisht një lidhje mes rasteve të mpiksjes së gjakut dhe vaksinës nga hetimi i saj lidhur me 30 rastet e raportuara.
Por ajo tha në një konferencë se konkluzioni "i qartë" i rishikimit ishte se "përfitimet që sjell vaksina në mbrojtjen e njerëzve me rrezikshmëri të lartë vdekjeje ose shtrimi në spital nga COVID-19, tejkalon rreziqet e mundshme".
Agjencia megjithatë do të përditësojë udhëzimet e saj për të përfshirë një shpjegim në lidhje me rreziqet e mundshme si në fletëpalosjen e pacientit ashtu edhe në informacionin për profesionistët e kujdesit shëndetësor, tha zonja Cooke.
"Kjo është një vaksinë e sigurt dhe efektive", tha ajo.
Agjencia ka qenë nën presion në rritje për të zbutur shqetësimet lidhur me sigurinë pas një numri të vogël raportimesh në javët e fundit për gjakderdhjes, mpiksje gjakut dhe ulje të nivelit të trombociteve tek njerëzit që kanë marrë vaksinën AstraZeneca.
Rishikimi i agjencisë që mbulon 5 milionë njerëz, përfshiu 30 raste të çrregullimeve të pazakonta të gjakut tek banorë në Zonën Ekonomike Evropiane (EEA), e cila lidh 30 vende evropiane.
Fokusi dhe shqetësimi kryesor i EMA-s ka qenë për rastet e mpiksjes së gjakut në kokë, një gjendje e rrallë që është e vështirë për t’u trajtuar e quajtur trombozë venoze cerebrale (CVT) ose një formë tjetër e njohur si tromboza e sinusit venoz cerebral (CVST).
Më shumë se 45 milionë vaksina janë administruar në të gjithë Zonën Ekonomike Evropiane.
Të paktën 13 vende evropiane, duke përfshi Francën, Gjermaninë dhe Italinë, kanë ndaluar administrimin e vaksinës në pritje të një rivlerësimi nga enti regulator evropian.
Rregullatori i ilaçeve në Britani tha të enjten se po hetonte pesë raste të trombozës së sinusit venoz cerebral mes njerëzve që kanë marrë vaksinën AstraZeneca por rikonfirmoi se përfitimet e vaksikës tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm.
Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu këtë javë riafirmoi mbështetjen e saj për vaksinën.
AstraZeneca ka thënë se një rishikimi i vaksinës në një zonë që mbulon më shumë se 17 milionë njerëz që kanë marrë vaksinën e saj në BE dhe Britani nuk kishte gjetur prova të një rreziku në rritje të mpiksjes së gjakut.
Shumë qeveri kanë thënë se vendimi për të ndërprerë vaksinimet ishte marrë si rezultat i kujdesit paraprak.
Por ekspertët kanë paralajmëruar se ndërhyrjet politike mund të minojnë besimin e publikut dhe të pengojnë fushatën e ngadaltë të vaksinimit të bllokut ndërsa qeveritë përpiqen të zbutin variante më infektuese.
Vaksinimi në vendet e bllokut ka mbetur prapa Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.