Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi këtë fundjavë një konferencë ndërkombëtare shkencore lidhur me tranzicionin dhe demokracinë shqiptare. Studiues nga Shqipëria, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikuan studimet e tyre mbi ecurinë e qeverisjes dhe demokracisë shqiptare gjatë 25 viteve nga rrëzimi i diktaturës komuniste.
Your browser doesn’t support HTML5
Ata pohuan se Shqipëria përballet sërish me të njëjtat sfida të qeverisjes problematike dhe abuzimit me pushtetin të politikanëve kryesorë. Studiues të njohur të jetës politike e sociale të Shqipërisë e analizuan ecurinë e demokracisë shqiptare në konferencën shkencore të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës.
Krahas Servet Pëllumbit e Ylli Bufit, Spartak Ngjelës dhe Gabriel Partosh, vëmendjen e auditorit e tërhoqi studimi i Dr. Elez Biberajt mbi tranzicionin politik nga diktatura në demokraci dhe deri në kohët e sotme. Ai tha se politika shqiptare mbetet e bllokuar dhe jofunksionale dhe se vazhdimësia në pushtet e elitës së vjetër ka ndikuar negativisht.
Zoti Biberaj tha se pas zgjedhjeve të vitit 2013, vendi rrëshqiti shpejt në stilin e politikës konfiktuale. Ashtu si gjatë 25 viteve, drejtuesit kryesorë u treguan politikanë të dobët dhe nuk i besuan kompromisit në qeverisjen demokratike. Sipas tij, elita politike punoi për të shkatërruar kundërshtarin me retorika të ashpra, korrupsoni ka deprëtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë, pasuria dhe pushteti janë përqëndruar në duart e një grupi të vogël, ndërkohë që pjesë të konsiderueshme të popullsisë jetojnë në varfëri.
Studiuesi i njohur Biberaj tha se shkelja e ligjit është bërë një dukuri e përhapur dhe kjo ndikon për keq në ndarjen e pasurive të vendit me punë të ligjshme. Sipas tij, vetë institucionet e zbatimit të ligjit, qeveria, policia, prokuroria dhe gjykatat e kanë minuar luftën ndaj korrupsionit. Ai tha se bllokimi i tejzgjatur politik, rritja e ngadaltë ekonomike dhe një seri skandalesh korrupsioni e kanë dëmtuar rëndë qeverisjen.
Kryetarët e partive, tha studiuesi Biberaj, kanë pushtet të pakufizuar në partitë dhe në institucionet shtetërore. Ata zgjedhin deputetë besnikë ndaj tyre, të gjithë punojnë për fuqinë e kryetarit dhe shumë rrallë ka mendime të pavarura, ndërsa korrupsioni është po aq mbizotërues. Shqiptarët nuk janë të kënaqur me nivelin e demokracisë dhe të ekonomisë së vendit. Çështja është nëse ky regjim hibrid do të bëhet më pak apo me shumë demokratik. Në të ardhmen e afërt, sipas tij, demokracia nuk pritet të përmirësohet shpejt, sepse politikanët ndjekin sjellje dhe qëllime personale.