Sot në Nju Jork fillon përzgjedhja e jurisë për gjyqin ndaj baronit meksikan të drogës “El Chapo” Guzman.
Autoritetet po shtojnë masat e sigurisë për seancën gjyqësore, duke përfshirë mbajtjen sekret të emrave të 12 njerëzve që do të shërbejnë në juri dhe gjashtë të tjerëve rezervë. Deklaratat hapëse të gjyqit pritet të fillojnë më 13 nëntor.
Meksika e ekstradoi El Chapon në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017. Që nga ajo kohë ai mbahet në izolim në një burg federal të Nju Jorkut. I akuzuari nuk i ka pranuar akuzat se drejton një operacion masiv trafiku droge në Amerikën Veriore, ku hyjnë pastrimi i parave, rrëmbime dhe vrasje në qytete të tilla amerikane si Çikago, Majami dhe Nju Jorku. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë se në rolin e kartelit Sinaloa, Guzman mbikëqyrte kontrabandën e kokainës, heroinës dhe drogave të tjera tek shpërndarësit në disa qytete kryesore amerikane.
Prokurorët thonë se qeveria amerikane po kërkon konfiskimin e 14 miliard dollarëve si pjesë të çështjes.
I akuzuar si shef i kartelit Sinaloa, Guzman është arratisur dy herë nga burgje të sigurisë së lartë në Meksikë. Përveç shtimit të masave të sigurisë për gjyqin ndaj “El Chapo-s”, autoritetet po përpiqen të mbrojnë dështmitarët nga ndëshkimet e mundshme të kartelit. Disa prej tyre po mbahen në burgje speciale, ndërsa të tjerë janë në programe të mbrojtjes së dëshmitarëve.