Dy ekspertë këtu në Uashington e shohin me shqetësim situatën e krijuar në veriun e Kosovës, por besojnë se me vullnetin e duhur të Beogradit dhe Prishtinës tensionet mund të zbuten. Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker dhe nënpresidenti për programet në Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, Ivan Vejvoda janë të një mendjeje për të mos ta larguar vëmendjen nga perspektiva e integrimit, por kanë mendime të ndryshme për statusin e Veriut të Kosovës.
Si ambasadori Volker, ashtu edhe zoti Vejvoda këshillojnë që situata e tanishme të shihet në perspektivë.
“Ajo që po shohim nuk është gjë e re, situata të tilla janë përsëritur herë më shpesh dhe herë më rrallë prej vitesh”.
“Askush nuk duhet të neglizhojnë vështirësinë e zgjidhjes së diçkaje që ka një histori të gjatë me konflikt dhe me kujtime të dhimbshme nga të dyja palët”.
Zoti Volker thotë se situata në Veri është krijuar nga një grup aktivistësh që kanë ardhur në Mitrovicë dhe kanë ngritur në këmbë popullsinë lokale. Ai shton se NATO-ja dhe KFOR-i kanë përgjegjësinë të mos pranojnë situatën e krijuar. Ai thotë se vështirësitë e krijuara nuk duhet të çojnë në zgjidhje që do të paraqisnin rrezik, siç është ideja e hedhur për ndryshimin e kufijve, apo këmbimit të territoreve gjë që sipas tij do të shkaktonte efektin domino në rajon.
“Unë nuk besoj në ndryshimin e kufijve. Unë e shoh veriun si pjesë të Kosovës. Dhe do të dëshiroja që komuniteti i atjeshëm ta pranojë që është pjesë e Kosovës por edhe të ndjehet mirë që është pjesë e Kosovës, që do të thotë që të drejtat dhe interesat e tyre të respektohen dhe ata ta ndjejnë një gjë të tillë”.
Për zotin Vejvoda, kjo do të thoshte që statusi i veriu të kishte edhe një emër.
“Me sa mendoj unë, ndarja ose këmbimi i territorit nuk është më në tryezë tani dhe ne tani kemi lëvizur më duket mua tek alternativa e autonomisë së gjerë për Veriun që ishte parashikuar pjesërisht edhe në planin Ahtisaari”.
Thelbi sipas tij do të ishte marrëdhënie mes komunitetit serb dhe Beogradit, për çështje si arsimi dhe shëndeti, pjesë të ndryshme të financimit dhe kjo do të mundësojë që Prishtina të mos mendojë se e ka humbur atë pjesë territori.
“Gjëja më e rëndësishme është që të gjejmë një zgjidhje tani që të jetë funskionale dhe të plotësojë nevojat e të dyja palëve. Nuk do të jetë një zgjidhje ideale as për Prishtinën as për Beogradin. Do të jetë zgjidhja më pak e keqe e mundshme”.
Të dy eskpertët këshillojnë që vëmendja e Beogradit, Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar të përqendrohet tek integrimi.
“Rruga që ka qenë e suksesshme në Ballkan dhe në Evropë në përgjithësi, është të mendosh për integrimin e shoqërinë shumëenike, ideja që njerëzit duhet të punojnë së bashku në bazë të parimeve dhe vlerave të shoqërisë, duke e pasur parasysh faktin që kanë identitete të ndryshme etnike, në vend që të këmbëngulin që kufijtë të vendosen mbi baza etnike”.
Për Ballkanin në përgjithësi, jo vetëm për Kosovën, nëse shihet nga e ardhmja, atëherë vëmendja nuk duhet të jetë tek kufijtë brenda Ballkanit, por tek reformat e nevojshme që i gjithë rajoni të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, thotë zoti Volker. Ai thekson se me gjithë sfidat e tjera, këtë mesazh duhet të përforcojë edhe BE-ja dhe Uashingtoni, ashtu si edhe mesazhin për bashkëpunim të Beogradit dhe Prishtinës. Zoti Vejvoda bie dakord:
“Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është në frymën e dialogut, për të ndërtuar institucione demokratike dhe megjithëse këto 11 vjet ka pasur ulje dhe ngritje, prirja është pozitive. Dëshira për të ndërtuar institucione dhe për t’u integruar në Evropë është baza mbi të cilën duhen gjetur zgjidhjet”.
E rëndësishme thonë ekspertët është që të gjitha palët ta kuptojnë që efektet pozitive të deritanishme të mos shkatërrohen nga diçka që është e zgjidhshme dhe në interes si të Prishtinës edhe të Beogradit.