51 të vrarë në Egjipt

Presidenti i Përkohshëm Adly Mansoir bëri thirrje për përmbajtje dhe dha urdhër për zhvillimin e një hetimi lidhur me vrasjet
Të paktën 51 persona u vranë sot në përleshjet jashtë një ndërtese ushtarake në Kajro, ku mbështetësit e ish-presidentit Mohamed Morsi po zhvillonin një demonstratë ulur. Sipas njoftimeve, mes të vrarëve ishte një ushtar, ndërsa disa të tjerë janë në gjendje të rëndë. Po sipas njoftimeve, ka disa qindra të plagosur. Por rrethanat e vrasjes janë interpretuar në mënyra të ndryshme.

Presidenti i Përkohshëm i Egjiptit, Adly Mansoir, bëri thirrje për përmbajtje dhe dha urdhër për zhvillimin e një hetimi lidhur me vrasjet e ditës së sotme.

Njoftimet e para flisnin gjithashtu për disa qindra të plagosur. Por rrethanat e vrasjes janë interpretuar në mënyra të ndryshme.

Dhuna ndodhi jashtë ndërtesë së Gardës Republikane ku ish-presidenti mbahej fillimisht javën e kaluar. Kjo është gjakderdhja më e madhe brenda një dite në Egjipt që nga rrëzimi i Morsit. Por lidhur me ngjarjen janë dhënë variante të ndryshme.

Zëdhënës ushtarakë thanë se persona të armatosur hapën zjarr kundër trupave të ushtrisë në ndërtesë, duke vrarë të paktën pesë mbështetës të zotit Morsi dhe një polic.

Por një përfaqësues i Vëllazërisë Myslimane të zotit Morsi dhe një dëshmitar në vendngjarje thanë se ishin forcat ushtarake që hapën zjarr herët në mëngjes kundër protestuesve jashtë ndërtesës së Gardës Republikane.

Amr Saeed i cili mori pjesë në demonstratën ulur, tha se trupat ushtarake dhe forcat policore hapën zjarr mbi protestuesit gjatë lutjeve të mëngjesit.

"Në të gdhirë, kur ne ishim duke u lutur, ushtria erdhi me dy autoblinda, dy tanke dhe me trupa që ecnin në këmbë. Ata mbyllën derën dhe hodhën bomba e municione. Më shumë se 34 vetë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën," thotë Amr Saed.

Të plagosurit u dërguan në një spital të improvizuar të ngritur në Naser City në periferi të Kairos.

Një mjek tha se ambulancat nuk ishin në gjendje të transportonin më shumë se 200 të plagosurit në spitale, sepse ushtria kishte bllokuar rrugët.

Mbështetësit e zotit Morsi vazhdojnë të mbajnë mitingje dhe demonstrata ulur jashtë ndërtesës së Gardës Republikane, qysh nga rrëzimi i zotit Morsi nga ushtria javën e kaluar gjatë protestave masive kundër tij.

Shefi i ushtrisë e zëvendësoi Morsin me një president të përkohshëm, deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

Por përkrahësit e Morsit nuk pranojnë ta njohin ndryshimin në udhëheqje dhe kërkojnë me këmbëngulje që Morsi të rivendoset në pushtet.

Përveç demonstratës ulur pranë Gardës Republikane, protestuesit po mbajnë mitingje të përditshme me pjesëmarrjen e mijëra vetëve në një xhami aty pranë.

Ndërkohë, barrikadat e policisë, nuk lejojnë që njerëzit t'i afrohen perimetrit të bazës ku ndodhen trupat elitë të Gardës Republikane.
Gjithashtu, në sheshin Tahrir janë vendosur tanket të cilët kanë bllokuar edhe urën mbi Nil që të çon në shesh.