Egjipt: Gjendje e jashtëzakonshme

  • Edward Yeranian
Ministria e Shëndetësisë njofton për 149 të vdekur, ndërsa Vëllazëria Myslimane thotë se numri është shumë më i lartë
Ushtria egjiptiane thotë se një operacion për të shpërndarë dy kampet e protestës të Vëllazërisë myslimane në Kajro pothuajse ka përfunduar, ndërkohë që njoftimet mbi numrin e viktimave janë kontradiktore. Ministria e Shëndetësisë njofton për 149 të vdekur, ndërsa Vëllazëria thotë se numri është shumë më i lartë. Qeveria ka urdhëruar vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndalimqarkullimin në shkallë vendi, ndërsa zyra e presidentit të përkohshëm ka autorizuar ushtrinë të ndihmojë policinë për të garantuar rendin.

Zëvendës Presidenti i përkohshëm i Egjiptit, udhëheqësi pro-reformave, Mohamed ElBaradei, dha dorëheqjen, duke thënë se nuk mund të mbajë përgjegjësi për vendimet me të cilat ai "nuk pajtohet" dhe që sipas tij mund të kenë pasoja.

Përleshjet e dhunshme u përhapën kudo në Kajro dhe në shumë pjesë të Egjiptit, pasi forcat qeveritare të sigurisë ndërhynë për të shpërndarë mbështetësit e Vëllazërisë Myslimane në dy kampe protestash në kryeqytet. Dy protestat ulur filluan më shumë se 40 ditë më parë, pas rrëzimit nga ushtria të Presidentit islamist Mohamed Morsi.

Forcat e sigurisë arritën shumë shpejt të shpërndajnë protestën ulur me përmasa më të vogla pranë Universitetit të Kajros, duke arrestuar dhjetëra njerëz. Buldozerë hoqën tullat dhe thasët me rërë nga rruga, kurse ushtarët rrëzuan tendat dhe u vunë zjarrin posterave politikë.

Në kampin kryesor të protestës, afër Xhamisë Adevije Raba'a në veri të Kajros, policia dhe ushtria përdorën gaz lotsjellës duke hyrë në disa pjesë të sheshit. Brenda kampit shpërthyen zjarret dhe retë e gazit lotsjellës mbushën ajrin. Sipas njoftimeve, disa nga krerët e Vëllazërisë Muslimane u arrestuan.

Në atmosferën e konfliktit që po thellohet sa vjen e më shumë, kreu i respektuar i Universitetit al-Azhar, Sheik Ahmed Tajib, u bëri thirrje të gjithëve për të shmangur dhunën dhe që udhëheqësit politik të ulen në tryezën e bisedimeve.

"Dhuna kurrë nuk mund të jetë zgjidhje për konfliktin. U bëj thirrje të gjithëve të përdorin urtësinë dhe logjikën për të gjetur një zgjidhje politike. Unë nuk isha informuar për vendimin se do të ndërhyhej për të sulmuar protestuesit," tha Sheikh Ahmed Tajib.

Dhuna dhe vandalizmi goditën edhe pjesë të tjera të Egjiptit. Mbështetës të Vëllazërisë myslimane shkatërruan dhe dogjën zyrën e guvernatorit krahinor në Aleksandri dhe selinë e qeverisë në Fayyoum. Televizioni Al-Arabiya njofton se katër kisha u dogjën në jug të vendit.

Një grup islamik rival me Vëllazërinë Myslimane, Partia Salafi Nour, u kërkoi egjiptianëve të "ndalin sulmuar kundër ndërtesave qeveritare dhe kishave." Partia Nour ka refuzuar të bashkohet me qeverinë e përkohshme, por ka kritikuar Vëllazërinë Myslimane për mospjesmarrje në procesin politik që prej përmbysjes së zotit Morsi.

Një zëdhënës i qeverisë së përkohshme shprehu keqardhje për humbjen e jetëve dhe këmbënguli se planet për kthimin në demokraci, të njoftuara në fillim të korrikut, nuk kanë ndryshuar.

"Qeveria do të vazhdojë planin e saj politik, megjithë dhunën," tha zëdhënësi, i cili i bëri thirrje të gjitha forcave politike të marrin pjesë.

Por zëdhënësi i Vëllazërisë Myslimane, Mohamed Beltagy dënoi ushtrinë egjiptiane për atë që ai e quajti "masakër", dhe tha se "grushti i shteti" kishte "dështuar". Duke folur me tone të zemëruara, ai tha se grupi i tij do të vazhdojë protestat.

"Ushtria egjiptiane i vrau protestuesit pa iu dridhur dora, duke përdorur snajperët në çatitë e ndërtesave dhe pastaj thoshte se në spitale nuk kishte më vend për kufoma. U bëj thirrje ushtarëve egjiptianë që të rebelohen," tha zoti Beltagy.


Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan, partia e të cilit ka lidhje të ngushta me Vëllazërinë Myslimane, e dënoi atë që ai tha se ishte një "masakër", dhe u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara pë