Tiranë, Opozita braktis parlamentin

Miratohet ngritja e komisionit të përbashkët për reformën administrative

Grupi parlamentar i opozitës braktisi sot seancën parlamentare, në shenjë proteste, sipas përfaqësuesve të saj, se socialistët detyruan dy deputete gra që të japin dorëheqje nga e drejta e tyre për të hyrë në parlament prej listës së kandidatëve. Deputetet e listës së Lezhës mund të hynin në parlament pas dorëheqjeve nga mandati i grave ministre, mirëpo ato u tërhoqën nga kjo e drejtë, duke i lënë radhën deputetëve të tjerë në listë.

Your browser doesn’t support HTML5

Opozita braktis parlamentin, ngrihet komisioni i reformës territoriale


Debati nisi nga fillimi i seancës, kur deputete socialiste dhe demokrate shkëmbyen argumenta mbi këtë cështje. Opozita këmbënguli se kjo është një shkelje e të drejtave të grave për të marrë pjesë në institucionet vendim-marrëse. Në parlament është ngritur edhe një aleancë e grave deputete, që synon të shtojë hapësirat e femrave në politikë dhe të mbrojë të drejtat e tyre. Ndërsa kryeministri Rama tha se kjo mënyrë largimi ishte shenjë politikës së vjetër, që po ndjek Partia Demokratike, me shpifje dhe spekullime për të mbuluar shkeljet gjatë mandatit të saj.

Pasi opozita e braktisi sallën e parlamentit, shumica e majtë vazhdoi miratimin e ligjeve, më i rëndësishmi mes të cilëve është ngritja e një komisioni të përbashkët mbi reformën territoriale administrative. Opozita nuk ka dhënë mirëkuptim as për këtë nismë, ndonëse mendon që reforma territoriale është e domosdoshme. Partia Demokratike deklaroi që nuk ka kuptim të firmosen marrëveshje të reja, ndërkohë që Partia Socialiste ka shkelur 3 ligje dhe marrëveshje të mëparshme. Megjithatë parlamenti miratoi me 75 vota dhe në mungesë të opozitës ngritjen e këtij komisioni, ku pjesëmarrja e antarëve është e barabartë.