ECOWAS: Presidenti i Bregut të Fildishtë, dakord për negociata

  • Zëri Amerikës

ECOWAS: Presidenti i Bregut të Fildishtë, dakord për negociata

Blloku rajonal i vendeve të Afrikës Përëndimore ECOWAS thotë se presidenti i Bregut të Fildishtë, Laurent Gbago, ka rënë dakort për zhvillimin e negociatave për t’i dhënë fund në mënyrë paqësore krizës politike në vend.

Grupi i përbërë nga 15 vende të Afrikës Përëndimore nxorri një deklaratë sot ku thoshte se zoti Gbago ka rënë dakort të zhvillojë negociata të mëtejshme pa vendosur parakushte. Ai gjithashtu ka rënë dakort të heqë bllokadën rreth hotelit Abixhan ku për disa javë po mbahet i rrethuar rivali i tij politik, Alessane Ouattara.

ECOWAS thotë se zoti Ouattara do t’i garantojë zotit Gbago një dalje dinjitoze nëse presidenti në pushtet pranon humbjen e tij në zgjedhjet presdenciale të nëntorit të vitit të kaluar.

Lajmi vjenë disa orë pasi udhëheqësi i ECOWAS presidenti nigerian Goodluck Jonathan tha se kampet e zotit Gbago dhe zotit Ouattara janë futur në një ngërç politik.

ECOWAS, Bashkimi Afrikan dhe Kombet e Bashkuara kanë njohur zotin Ouattara si fitues të zgjedhjeve të nëntorit dhe i kanë bërë thirrje zotit Gbago të jap dorëheqje.

Zoti Gbago insiston se ai i ka fituar zgjedhjet dhe ka refuzuar dorëzimin e pushtetit.

Të hënën, zoti Ouattara u tha gazetarëve se koha për diskutime dhe diplomaci ka marrë fund.

ECOWAS ka kërcënuar heqjen me forcë të zotit Gbago nëse ai nuk dorëzon pushtetin.