Dy kandidatura të tjera për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së

  • Armand Mero

Dy kandidatura të tjera për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së

Në Tiranë, komisioni i Ekonomisë miratoi sot dy kandidatura të tjera për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, të propozuar nga shumica.

Bëhet fjalë për zotin Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës dhe zonjën Ela Golemi, e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kandidatura e tretë që duhet të propozohet nga parlamenti, i është lënë opozitës e cila ka paraqitur emrin e deputetes së saj Ermelinda Meksi, ish ministre e Ekonomisë dhe Integrimit. Këshilli Mbikqyrës i bankës përbëhet nga 9 anëtarë, 7 prej të cilëve u ka mbaruar mandati.

Dy ditë më parë Komisioni i Ekonomisë miratoi edhe tre kandidaturat e paraqitura nga qeveria, mes të cilëve ishte edhe guvernatori aktual i Bankës Ardian Fullani, i cili është përballur me kritikat e opozitës për aktivitetin e tij.

Pas miratimit të të gjitha kandidaturave nga parlamenti, i takon presidentit Bamir Topi të përzgjedhë mes tyre edhe guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë.