Drejtorja e CIA-s, Gina Haspel, informoi ligjvënësit sot rreth vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Njoftimin e bëri Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Corker.
Seanca informuese ndodhi pasi CIA u përjashtua javën e kaluar nga një takim gjatë të cilit Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, dhe Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, biseduan me senatorët rreth vrasjes së gazetarit.
Zoti Khashoggi, bashkëpunëtor i gazetës amerikane “The Washington Post” dhe një kritik i fortë i Princit të kurorës saudite Mohammed bin Salman, u vra në muajin tetor brenda konsullatës saudite në Stamboll, të Turqisë.
Gazeta “The Wall Street Journal” njoftoi se CIA konkludoi me “vetëbesim të mesëm deri në të lartë” se vrasja e tij ka “gjasa të jetë urdhëruar” nga Princi saudit.
Megjithë konkluzionet e CIA-s, President Donald Trump i ka hedhur ato poshtë në mënyrë të përsëritur, duke i quajtur paraprake. Megjithatë, Presidenti Trump vendosi sanksione ndaj 17 shtetasve sauditë për rolin që mendohet se ata luajtën në këtë vrasje.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, u duk javën e kaluar se nuk i kushtoi interes një regjistrimi audiofonik të vrasjes, të cilin hetuesit turq ja dorëzuan komunitetit të shërbimeve amerikane të zbulimit.
Gazeta “The Wall Street Journal”, si dhe media të tjera amerikane, kanë njoftuar se CIA disponon prova që Princi saudit shkëmbeu 11 mesazhe me një ndihmësin e tij të ngushtë që mbikqyrte vrasjen, pak përpara dhe pasi u krye vrasja.
Arabia Saudite prentendon se princi i kurorës nuk di asgjë rreth vrasjes, e cila pretendon se ndodhi aksidentalisht.
Senatori Lindsey Graham, një aleat i vendosur i Presidentit Trump, ka dalë në favor të një ndëshkimi të qeverisë saudite, megjithë ngurrimin e administratës Trump për ta ndërmarrë këtë hap.
Senatori Graham votoi javën e kaluar pro një rezolute që do të anullonte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përfshirjen e Arabisë Saudite në luftën civile në Jemen.
Senatori Graham shkruajti në një artikull në gazetën “The Wall Street Journal” se “është e rëndësishme që Kongresi të sinjalizojë se nuk ka asnjë justifikim për sjelljen së fundmi të sauditëve”.