Drejtimi që po merr Ukraina pas 5 vjet ngërçi politik

  • Xhejms Bruk

Drejtimi që po merr Ukraina pas 5 vjet ngërçi politik

Një vit pasi Viktor Janukoviç u bë president i Ukrainës, mbështetësit e tij thonë se ai ka sjellë qëndrueshmëri në këtë vend me 46 milionë banorë. Kritikët thonë se ai po i jep Ukrainës drejtimin e një regjimi autoritar, njëlloj si sundimi i Vladimir Putinit në Rusi.

Euforia e Revolucionit Portokalli të vitit 2004 në Ukrainë është venitur gjatë pesë vjetëve ngërçi politik.

Vitin e kaluar, me një votim të ngushtë ukrainasit votuan për ndryshim.

Fituesja e Revolucionit Portokalli, populistja properëndimore Julia Timoshenko, u largua dhe vendin e saj e zuri humbësi i Revolucionit, prorusi konservator Viktor Janukoviç.

Fjala është për një shtet ish sovjetik që vjen pas Rusisë për nga popullsia dhe sipërfaqja.

Organizata Freedom House e ka ulur klasifikimin e Ukrainës nga vend i lirë në vend pjesërisht të lirë. Organizata Gazetarët Pa Kufij e ka ulur Ukrainën 42 shkallë më poshtë në Indeksin e saj për Lirinë e Medias, duke e renditur në vendin e 131.

Ja ç’thotë Natalya Ligaçova, e cila punon për lëvizjen e re Stop Censorship në Kiev.

“Qeveria ukrainase ka huazuar nga autoritetet ruse dëshirën për të censuruar dhe monopolizuar informacionin kryesisht në kanalet televizive, po ashtu edhe mbi shtypin dhe internetin”.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Oleh Voloshyn, thotë se shumë gazetarë dhe punonjës të të drejtave të njeriut në Ukrainë janë mbështetës të Revolucionit Portokalli, prandaj ndërrimi i pushtetit i ka shokuar ata.

“Kur jeton në kaos politik, siç kemi jetuar ne gjatë pesë viteve të fundit, çdo kufizim i kaosit krijon, veçanërisht te gazetarët, një ndjenjë kufizimesh ndaj lirisë së shtypit.”

Diplomatët ukrainas janë vënë tani në pozita mbrojtëse. Ambasada amerikane në Kiev kohët e fundit e ka paralajmëruar presidentin Janukoviç që të heqë dorë nga përndjekja selektive e kundërshtarëve politikë. Edhe Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se demokracia është kushti kryesor që Ukraina të pranohet në paktin për tregëtinë e lirë këtë vit.

Kjo nuk i ka ndalur autoritetet të hetojnë ish kryeministren Julia Timoshenko nën akuzat për abuzim të pushtetit.

Presidenti Yanukoviç mendon me naivitet se mund të ngrejë një perde të re të hekurt. Ky është një njeri i cili jeton ende sipas zakoneve sovjetike”, - thotë Zonja Timoshenko.

Ajo komentoi për Zërin e Amerikës në selinë e saj politike disa orë pasi agjentët qeveritarë i kërkuan të dorëzonte kompjuterët e partisë së saj. Ajo e quajti presidentin Janukoviç një tiran.

“Viti i parë i mandatit të tij si president nuk u karakterizua nga reforma apo stabilitet. Ai ishte fillimi i fundit të qeverisjes autoritare që ai përfaqëson”.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme Voloshin thotë se politikanët në të gjithë botën hetohen për korrupsion pas largimit nga pushteti.

Si mund të flitet për përndjekje politike? Vlerësimi për të po rritet, ajo po organizon protesta, takohet me gazetarë të huaj dhe jep intervista.”

Shumë ukrainas pyesin nëse presidenti Janukoviç do ta çojë Ukrainën më tej në drejtimin politik të udhëheqësit rus Vladimir Putin.

Gazetari rus Evgeni Kisilev, drejtues i një emisioni televiziv politik në Kiev, nuk shqetësohet. Ai e krahason Ukrainën me Belgjikën ose Kanadanë, vende tepër të ndara etnikisht, për t’u udhëhequr nga një person i fuqishëm qëndror.

“Fakti që Ukraina është kombinim i rajoneve, grupeve, besimeve dhe interesave të ndryshme, është një e mirë e madhe për vendin. Nuk mendoj se skenari i Putinit është i mundshëm në Ukrainë.”

Kiselev parashikon se zoti Janukoviç do të përballet me kandidatë të fuqishëm të opozitës në zgjedhjet e ardhshme presidenciale pas katër vitesh. Në atë kohë, thotë Kiselev, rizgjedhja e presidentit të tanishëm nuk është e garantuar.