Dr. Fauci: Imuniteti i turmës kërkon nivele të larta vaksinimi

Dr. Fauci

Dr. Anthony Fauci, eksperti më i njohur amerikan për sëmundjet infektive tha në një intervistë të botuar të enjten se arritja e imunitetit të tufës kundër koronavirusit mund të kërkojë nivele vaksinimi deri në 90 për qind.

Më shumë se 1 milion amerikanë, ose vetëm rreth 0.3 për qind të popullsisë, kanë marrë dozën e parë të vaksinës që nga 14 dhjetori, sipas Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve.

Dr. Fauci, i cili shërben si këshilltar për pandeminë i Presidentit Donald Trump dhe i Presidentit të zgjedhur Joe Biden, pranoi se e kishte rritur në mënyrë të konsiderueshme vlerësimin e tij krahasuar me fillimin e vitit, kur ai thoshte se për të arritur imunitetin e turmës, mjaftonte vaksinimi i vetëm 60 – 70 për qind të popullatës.

"Duhet të tregohemi modestë në këtë rast", tha Fauci për gazetën New York Times. "Sepse në fakt ne nuk e dimë se cili është niveli i vërtetë (i vaksinimit) që duhet arritur. Unë mendoj se diapazoni real është diku nga 70 në 90 për qind. Por nuk do të thosha 90 për qind."

Komentet e tij vijnë ndërkohë që vendi shënon rekorde të reja të zymta në luftën me pandeminë. Të mërkurën, SHBA raportoi më shumë se 3,000 vdekje për të dytën ditë radhazi. Numri i të vdekurve në SHBA arriti në 326,333 nga mesnata e të mërkurës, sipas të dhënave të Reuters.

Në të njëjtën ditë, më shumë amerikanë se çdo ditë tjetër udhëtuan me avion që nga shfaqja e pandemisë në mars. Sipas të dhënave të Administratës së Sigurisë së Transportit, 1,191,123 pasagjerë kaluan nëpër pikat e kontrollit të aeroporteve.

Nga të dhënat del se shumë njerëz nuk i përfillin këshillat e ekspertëve të shëndetit publik për të shmangur udhëtimet me rastin e Krishtlindjes. Dr. Fauci dhe ekspertë të tjerë thonë se distancimi social do të kërkohet edhe për shumë muaj të vitit 2021 pas rritjes graduale të nivelit të vaksinimeve.

Numri i udhëtarëve ka rënë krahasuar me 23 dhjetorin e vitit 2019, kur pati 1,937,235 njerëz që udhëtuan me avion.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor, banorët e shtëpive për të moshuarit, një numër zyrtarësh të përzgjedhur dhe zjarrfikësit janë ndër ata që po marrin vaksinat e para. Shumicës së amerikanëve u është thënë se mund të duhen gjashtë muaj ose më shumë para se të vaksinohen.

Dr. Fauci, i cili u emërua drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive më 1984, tha në intervistë se tani ishte më i gatshëm të zbulonte publikisht bindjet e tij, pasi sondazhet tregojnë se amerikanët po bëhen më pak skeptikë për vaksinat e reja.

Sa më infektive është një sëmundje, aq më e lartë kërkohet shkalla e vaksinimit për të arritur pragun e imunitetit të turmës, që çon në frenimin e saj.

"Kur sondazhet tregonin se vetëm rreth gjysma e amerikanëve do ta bënin vaksinën, unë deklarova se për imunitetin e turmës do të duheshin 70 - 75 për qind," tha Dr. Fauci, i cili të enjten mbushi 80 vjeç.

"Pastaj, kur sondazhet e reja tregonin se 60 përqind ose më shumë ishin gati ta bënin vaksinën, unë mendova se mund ta shtyja pak pragun dhe e ngrita atë në 80 - 85 për qind," tha ai.