Largimi i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer

Emërimi i një drejtori të ri të komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, u pasua me dorëheqjen e papritur të zëdhënësit të saj, Sean Spicer, zëdhënës i presidentit Donald Trump gjatë gjashtë muajve të parë të presidencës së tij. Vendimi i zotit Spicer, sipas mediave, duket të jetë i lidhur me emërimin e drejtorit të ri të komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, financierit të Nju Jorkut Anthony Scaramucci.

Më 20 qershor, korrespondentët në Shtëpinë e Bardhë nuk patën asnjë shenjë se do të ishte hera e fundit që Sean Spicer do të jepte konferencën e përditshme para kamerave.

Zoti Spicer ishte një nga figurat kryesore të administratës së presidentit Trump.

Që nga fillimi, megjithatë, ai ishte në një pozitë të vështirë, si zëdhënësi i presidentit.

“Ky ishte numri më i madh i njerëzve për një inaugurim presidencial, PIKË – që e panë vetë në Uashington dhe nga ekrani” tha ai, rreth numrit të njerëzve që morën pjesë në inaugurimin e presidentit.

Zoti Spicer u largua pa marrë asnjë pyetje nga gazetarët dhe stili i tij u bë shpejt objekt satire në programin mjaft të ndjekur humoristik Saturday Night Live. Ai u ndodh në situatë të vështirë, pas disa gafash, si kjo:

“Nuk u përdorën armë kimike as në Luftën e Dytë Botërore. Edhe një njeri aq i ulët sa Hitleri, nuk përdori armë kimike”.

Sarah Huckabee Sanders do të jetë zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë. Shefi i saj i ri: financieri Anthony Scaramucci, i cili nuk ka përvojë as në qeveri dhe as në komunikim. Vendimi i zotit Spicer, sipas mediave, duket të jetë i lidhur me emërimin e zotit Anthony Scaramucci.

Presidenti Trump preferon të emërojë njerëz që ishin përkrahës të hershëm të fushatës së tij presidenciale. Drejtori i ri i komunikimit fillimisht pati mbështetur republikanë të tjerë dhe e pati quajtur zotin Trump “anti-amerikan”.

“Nuk duhej ta kisha thënë kurrë këtë. Pra, zoti President, nëse po dëgjoni, ju kërkoj falje personalisht për herën e 50-të për atë që thashë”, kërkoi ndjesë Anthony Scaramucci.

Ndryshimet në staf ndodhin tashmë që Shtëpia e Bardhë përpiqet t’i përforcojë përparësitë politike, mes hetimeve dhe akuzave rreth lidhjeve të dyshuara mes Rusisë dhe anëtarëve të fushatës presidenciale të zotit Trump.