Presidenti Trump kërcënon të shpallë Emergjencën Kombëtare

Agjentë të Patrullës Kufitare të SHBA gjatë vizitës së Presidentit Donald Trump në Teksas, 10 janar 2019.

Presidenti Donald Trump e quajti situatën në kufirin jugor të SHBA-së "një pushtim", një tjetër shenjë kjo se ai është tani më pranë shpalljes së një emergjence kombëtare. Kjo mund t'i jepte atij autoritetin ligjor për të filluar ndërtimin e një muri kufitar që e ka premtuar prej kohësh.

Demokratët kanë refuzuar të votojnë për një buxhet që do të përfshinte kërkesën e presidentit për më shumë se 5 miliardë dollarë për të filluar ndërtimin e një barriere të përhershme përgjatë kufirit me Meksikën.

Presidenti Trump ka refuzuar të nënshkruajë një buxhet qeveritar nëse nuk i jepen fondet për murin. Ngërçi ka çuar në një mbyllje të pjesshme të qeverisë e cila të premten hyri në ditën e 21-të. Meqenëse Kongresi nuk do të punojë gjatë fundjavës, mbyllja e tanishme shënon një rekord të ri në historinë amerikane për nga kohëzgjatja, duke kaluar tre javët.

Në vazhdim, i hedhim një vështrim se cila është domethënia e një Emergjence Kombëtare.

Çfarë është Akti i Emergjencës Kombëtare?

Ky ligj hyri në fuqi për shkak të një nevoje të perceptuar për t'i dhënë fund gjendjeve të emergjencave kombëtare pa afat dhe për të zyrtarizuar fuqinë e Kongresit. Ligji hyri në fuqi në shtator të vitit 1976 për të kufizuar autoritetin e presidentit për të shpallur emergjencat kombëtare, përfshirë që atyre t'i jepet fund pas një periudhe 2-vjeçare.

Po ashtu, secila prej dhomave të Kongresit duhet të votojë njëkohesisht një rezolutë, e cila do përcaktonte në se emergjenca kombëtare duhet të përfundojë; kjo në një afat kohor jo më vonë se 6 muaj pas deklarimit të emergjencës e më pas, çdo 6 muaj, për sa kohë që vazhdon gjendja e emergjencës.

A mundet ta përdorë Trump autoritetin e shpalljes së emergjencave për të ndërtuar murin?

Me pak fjalë, PO.

Si president, Trump ka autoritetin për të deklaruar gjendjen e emergjencës kombëtare. Megjithatë, ai mundet të mos ketë autoritetin gjithëpërfshirës, që zakonisht shoqëron deklarimin e një situate emergjente.

FILE - President Donald Trump reviews border wall prototypes in San Diego, March 13, 2018.

A është situata vërtet emergjente?

Trump ka deklaruar se fluksi i imigrantëve që hyjnë në kufirin jugor të SHBA është një emergjencë humanitare dhe kombëtare. Të dielën e kaluar ai tha: "Në vendin tonë po hyjnë kriminelë. Po vijnë trafikantë dhe po hyjnë sasi të mëdha droge. Po ndodhin gjëra që ju as nuk do të donit t'i dinit." Administrata po ashtu ka thënë se nga kufiri me Meksikën po hyjnë terroristë. Por kritikët kanë argumentuar se nuk ka fakte që imigrantët e grumbulluar në kufi të jetë siç thotë administrata.

Nga do të vinin paratë?

Financimi i murit mund të jetë diçka e ndërlikuar. Një mënyrë për gjetjen e fondeve do të ishte përdorimi i ligjit të emergjencës ushtarake që e lejon Sekretarin e Mbrojtjes të autorizojë ndërtimin e projekteve, pa patur autorizimin e Kongresit. Sipas njoftimeve në media, Shtëpia e Bardhë po kërkon fonde të papërdorura në buxhetin e Korpusit Inxhinierik të Ushtrisë Amerikane. Fondet mund të merren nga projekte të miratuara me një ligj që që siguron ndihma për fatkeqësitë ntayrore për Porto Rikon, Teksasin, Kaliforninë dhe Floridën, thuhet në media.

Çfarë mund të bëjë Kongresi?

Kongresi mund ta përmbysë deklarimin gjendjes emergjente me miratimin e të dyja dhomave. Por kjo mund të jetë e vështirë, në kushtet kur republikantë kanë shumicën në Senat.

Deklarimii emergjencës kombëtare, po ashtu mund të përballet me sfida të pafund në gjykatë.

A ka ndodhur kjo situatë më parë?

Po. Në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në një situatë të vazhdueshme emergjencash që nga viti 1979. Fillimisht kjo ndodhi kur Presidenti Jimmy Carter deklaroi gjendjen e emergjencës kombëtare, për të ngrirë pasuritë e iranianëve në SHBA, pas marrjes peng të Ambasadës amerikane në Teheran. Kjo situatë është shpallur çdo vit prej atëhere, nga gjashtë presidentë të tjerë amerikanë. Disa herë që nga ajo kohë, janë shpallur situata emergjente, që mbeten ende në fuqi, si ajo e vitit 1996, kur Presidenti Bill Clinton deklaroi gjendjen e emergjencës, pasi ushtria kubane qëlloi, duke rrëzuar dy avionë civilë përtej brigjeve kubane, si dhe ajo e deklaruar nga Presidenti George W. Bush më 14 shtator të vitit 2001, që i jepte president autoritetin për të mobilizuar ushtrinë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.

Deri tani, vazhdojnë të jenë aktive 28 emergjenca kombëtare . Shumica e tyre mbeten në fuqi bazuar në Aktin Ndërkombëtar të Emergjencës së Fuqive Ekonomike, që i jep Presidentit autoritetin për të vendosur sanksione ekonomike për politikën e jashtme.