Dita Ndërkombëtare e Gruas dhe shkenca

  • Mariama Diallo
Ndërsa bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas, disa gra thonë se mënyra më e mirë për të përmirësuar kushtet për motrat dhe familjet e tyre, është arsimimi më cilësor në lëndë kyçe si shkenca, teknologjia, inxhinieria dhe matematika.

Zonja e Parë Michelle Obama nderoi 10 gra për rolet e tyre udhëheqëse në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të barazisë së grave dhe përparim shoqëror:

"Këto gra kanë kaluar vite në shkolla dhe universitete duke u pajisur me njohuri dhe aftësi që tani përdorin për të përballur sfidat para tyre. Kjo është dhe historia e jetës sime."

Në SHBA, një grup aktivistesh shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gruas duke inkurajuar gra të tjera të ndjekin ato fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, që zakonisht dominohen nga meshkujt.

Dawn McGinley punon për kompaninë e teknologjisë 3M, një nga donatorët e aktivitetit tre-ditor të kësaj jave në internet, me këshilla individuale në këto programe arsimi. Ajo foli me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it.

"Kjo është një mundësi për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe për të festuar karrierat e tyre të suksesshme, sidomos në inxhinieri dhe teknologji."

Gjatë këtij aktiviteti virtual, gra të suksesshme të biznesit ndajnë njohuri dhe ofrojnë këshilla për gra dhe vajza në mbarë botën.

"Kjo i tregon atyre mbi këto fusha, i trajnon dhe i jep këshilla duke i ekspozuar ato herët në karrierën e tyre se çfarë janë këto fusha studimi dhe çfarë mund të bëjnë."

Profesorja e Universitetit të Merilendit në Kontenë e Baltimorës Marie DesJardins jep shkencë kompjuterike dhe inxhinieri.

"Nëse shikojmë statistikat, më shumë se gjysma vendeve të punës në këto degë, gjatë 10-15 viteve të ardhshme, do të jenë në informatikë. Por kur njerëzit flasin për fushat shkencore të rëndësishme, ata shpesh mendojnë për biologjinë apo fizikën. Ato janë lëndë të rëndësishme, por rritja më e madhe e vendeve të punës nuk do të jetë në to."

Zonja DesJardins thotë se ekspozimi i fëmijëve në moshë të vogël është çelësi i suksesit për t’i bërë ata të interesuar në këto lëndë.

"Duhet të lejojmë që vajzat të njihen me lëndë që nuk janë tipike për vajzat. Duhet që fëmijët tuaj që në moshë të re të nisin ta shohin veten si krijues teknologjie dhe idesh të reja, e jo vetëm si zbatues rregullash."

Profesoresha DesJardins thotë se ajo thekson shpesh se shkenca kompjuterike ndihmon në krijimin e një bote më të mirë.

Gratë që u nderuan këtë javë në Departamentin Amerikan të Shtetit, thonë se arsimimi i tyre i ndihmon të ndihmojnë të tjerët. Doktoresha Nasrin Oryakhil, e cila një herë arriti të kryejë 17 operacione brenda një nate në Afganistan, foli në emër të grupit.

"Është jetike të dihet që gratë janë gjysma e popullsisë dhe lënia mënjanë e një vajze apo një gruaje në çfarëdo lloj forme do të thotë shpërbërje e institucionit të shenjtë të familjes në shoqërinë tonë."

Ajo thotë se fuqizimi i grave do të thotë fuqizim i shoqërisë dhe brezave.