Papunësia në Shqipëri: premtime jashtë realitetit

Rritja ekonomike nuk u shoqëruar me të njëjtin nivel punësimi. Ka vërtet rritje ekonomike pozitive, por u bë 7-8 vjet ku papunësia mbeti njëlloj.
Studiues të jetës ekonomike mendojnë se niveli i real i papunësisë është sa 35-40 për qind të qytetarëve në moshë pune; ose 2 herë më e madhe se statisitikat shtetërore. Sipas tyre, sindikatat e pafuqishme janë një tjetër provë se papunësia është e lartë dhe ligji i punës nuk zbatohet. Drejtuesi i qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se firmat shqiptare kanë një numër të vogël punëtorësh dhe konkurrenca e punëtorëve për ato vende është shumë e lartë.

http://www.youtube.com/embed/lFZSPCNHUho

“Jeta e vakët dhe pothuajse inekzistente e sindikatave në Shqipëri është dëshmi e situatës së tregut të punës, që karakterizohet nga një nivel shumë i lartë i papunësisë, nga një shkallë e informalitetit edhe në ato biznese që janë formale. Papunësia ka prekur shtresa të gjera të popullsisë, veçanërisht rininë, ku papunësia është dy herë më e lartë se mesatarja e grupeve të tjera sociale. Po ashtu edhe gratë vuajnë ndjeshëm nga papunësia. Në të njëjtën kohë papunësia po rritet edhe në sektorin bujqësor. Ndikimi i krizës greke dhe italiane ka shtuar numrin e të papunëve në vend, dhe po kthen një pjesë të emigrantëve” - thotë ai

Analistët pohojnë se shteti gabimisht vazhdon të shihet për inerci nga qytetarët si një punëdhënës i rëndësishëm, por në fakt ai është vetëm krijuesi i një klime të përshtatshme biznesi, dhe privatët janë punëdhënësit më të mëdhenj. Profesor Adrian Civici, rektor i Universitetit Europian të Tiranës, thotë që punësimi është premtimi kryesor në fushatat zgjedhore të qeverisë dhe opozitës, ndonëse të dyja janë ende të paqarta në burimet e punësimit në realitetin problematik, sepse papunësia, sipas tij, është thembra e Akilit të çdo qeverie në kushtet aktuale.

“Në këto 10-15 vitet e fundit Shqipëria ka shfaqur edhe një simptomë tjetër, që është e rrallë për vende në zhvillim: rritja ekonomike nuk është shoqëruar në të njëjtin nivel me punësimin. Pra, ne kemi patur vërtet rritje ekonomike pozitive, por u bë 7-8 vjet ku papunësia luhatet nga 13-15 për qind, sipas shifrave zyrtare. Ndërkohë kemi patur edhe një shkarkim të madh papunësie me emigracion kryesisht në Greqi, Itali dhe në vende të tjera. Kjo tregon se punësimi dhe papunësia në Shqipëri është një problem strukturor, që nuk mund të zgjidhet vetëm me dëshirën e mirë dhe me konstatime” - thotë ai.

Analistët besojë se ndërtimi, konsumi dhe remitancat nga emigrantët kanë rënë ndjeshëm, ndaj para se të premtojnë një pënësim kaq masiv në fushatë zgjedhore partitë duhet të deklarojnë se ku janë burimet e financimit dhe të kapitalit dhe sektorët me mundësi aq të gjera punësimi.

“Shqipëria u godit nga kriza e vendeve të rajonit, por është një fakt pozitiv që nuk ra në recesion. Nëse do të binte në recesion nuk do të kishte punësime, por madje do të kishte shkurtime massive të punëtorëve. Dukuria e dytë është se edhe një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve që janë të punësuar dhe që punojnë aktualisht, rënia e xhirove të shitjeve të kompanive të ndryshme ka bërë një pjesë jo e vogël e tyre të punojë me kohë të reduktuar. Pra, edhe kjo është një formë e papunësisë së fshehtë” - thotë zoti Gjergj Buxhuku, përfaqësues i organizatës së bizneseve “Konfindustria”.

Studiuesit pohojnë se investimet vendase e të huaja kanë rënë, një pjesë e gjithnjë e më madhe e emigrantëve po kthehen në atdhe, ndërsa turizmi dhe bujqësia po vuajnë nga presioni i krizës ekonomike; kjo është gjendja e papunësisë dhe punësimit në këtë një maj dhe gjendja me të cilën do të përballet qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.