Dikur me të ardhura të suksesshme, tani nuk paguan dot qeranë

  • Carolyn Presutti

Dyqanet e mbyllura në Manhattan, New York, (11 maj 2020)

Një numër rekord amerikanësh janë të papunë pasi shumica e ekonomisë së vendit mbetet në ngërç. Gati 29-mijë banorë të shtetit Virxhinia humbën punën e tyre në muajin mars. Baristi Daniel Arden ishte njëri prej tyre. Ai është mirënjohës që ai dhe vajza e tij janë të shëndetshëm dhe nuk janë infektuar nga koronavirusi. Por atij iu mohuan përfitimet e papunësisë dhe tani është i vonuar në pagesën e qerasë. Carolyn Presutti e Zërit të Amerikës rrëfen historinë e tij

"Quhem Daniel. Jam nga qyteti Burke, i shtetit Virxhinia, dhe po përpiqem të mbështes veten dhe vajzën time", tregon Daniel Arden.

Daniel Arden jeton në kontenë Fairfax, të Virxhinias - një zonë e pasur pranë kryeqytetit Uashington, DC. Fairfax ka mbi një milion banorë dhe rreth një të katërtën e rasteve të koronavirusit të shtetit Virxhinia. Muajin e kaluar, zoti Arden po fitonte të ardhura të mira si banakier në një restorant të pasur në Fairfax. Ai u mbyll kur Virxhinia mbylli bizneset jothelbësore në mars.

"Ishim në një situatë kur fitoja mjaftueshëm për të jetuar i pavarur dhe për të mbështetur edhe vajzën time, një jetë joluksoze por edhe jo të varfër. Brenda një jave u shndërrova në i papunë", thotë Daniel Arden, 31 vjeç.
Vajza e tij katërvjeçare jeton me nënën e saj. Sa herë e shikon, atij i pëlqen t'i sjellë karamele dhe lodra. Por, jo më.

"Ka qenë një ngjarje madhore përunjëse. Që nga ai moment po mundohem të dal nga gropa, të mbijetojmë çdo ditë, çdo javë", thotë zoti Arden.

Një shok i dha punë në dyqanin e tij të cigareve elektronike. Përballë rrugës, një furgon vjen çdo ditë për të ushqyer të pastrehët dhe të rrënuarit nga pandemia. Zoti Arden ndjeu për herë të parë dhimbjen e tyre kur mori rrogën e parë - gati një e katërta e asaj që fitonte në restorant.

Daniel Arden

"Mendoja se do të merrja një sasi të caktuar që do të mbulonte qeranë. Nuk kisha zbritur me mendje taksat. Kështu që dola realisht me disa qindra dollarë më poshtë shumës së qerasë", thotë ai.

Pra, ai gjen punë të çuditshme nëpër lagje dhe shkon në dyqan ushqimesh me një listë për të blerë artikuj të përgjithshëm, jo nga markat e kushtueshme. Ka shtyrë riparimin e makinës. Është ende duke pritur çekun e stimulit ekonomik të qeverisë, ndërsa financat e tij bëhen gjithnjë e më të dëshpëruara.

"Mund të tingëllojë arrogante, por është e vërteta e trishtuar. Më parë në punën e restorantit nuk duhej të shqetësohesha. Nuk isha i pasur, por nuk më duhej të shqetësohesha për pagimin e faturave në kohë ose, p.sh., për ta shtyrë një muaj më vonë dhe gjëra të tilla. Dhe kurrë nuk vrisja mendjen për të blerë ushqimin më të lirë; thjesht merrja atë që doja dhe ikja”, tregon ai.

Vajza e zotit Arden bëhet pesë vjeç muajin e ardhshëm. Ai po mundohet të gjejë mënyrën më të mirë për të festuar një ditëlindje,... në epokën e COVID-19.