Tronditje, tmerr, trishtim, zemërim, dhe frikë. Këto janë disa nga emocionet që anëtarët e komunitetit afgano-amerikan përjetuan kur po ndiqnin rënien e qeverisë në Afganistan në ditët e fundit.
Your browser doesn’t support HTML5
“Është një situatë dëshpëruese. Dhe ne jemi shumë të revoltuar", thotë afgano-amerikania Ghezal Omar.
Skenat nga Afganistani, thirrjet e anëtarëve të familjes për ndihmë në ditët e fundit kanë qenë dëshpëruese për afgano –amerikanët si Ghezal Omari, një shkrimtare dhe pronare biznesi në Kaliforni. Ajo thotë se ndjehej e pafuqishme ndërsa Shtetet e Bashkuara po mbyllnin ambasadën e tyre në Kabul dhe kryengritësit talibanë po merrnin nën kontroll kryeqytetin afgan.
“Shumë prej nesh ende po e analizojmë këtë. Më duket se është një tradhti shkatërruese ndaj popullit afgan", thotë ajo.
Disa afgano-amerikanë kanë zhvilluar protesta gjatë fundjavës për t'u kërkuar miqve të tyre amerikanë që t'u kushtojnë vëmendje zhvillimeve në Afganistan.
Disa që punuan në vend për qeverinë amerikane dhe organizatat që ndihmuan popullin afgan, thonë se kanë frikë se do të zhduket përparimi i arritur gjatë 20 viteve të fundit.
"Njerëzit kurrë nuk e kishin menduar se kjo ditë do të kthehej përsëri. Se një qeveri e pazgjedhur do të kthehej në vend dhe do të merrte pushtetin. Të gjithë janë të tronditur”, thotë afgano-amerikani Mohammad Yousafzai.
“Unë nuk kam fjetur që nga fillimi i rënies së qeverisë. Ndihem shumë e pashpresë", thotë afgano-amerikania Freshta Taeb, e cila punon me refugjatët afganë në Nju Jork.
Ajo e ka të vështirë ta pranojë faktin që talebanët, të cilët sunduan vendin nga viti 1996 deri në 2001 si një regjim fondamentalist islamik, janë kthyer përsëri në pushtet.
“Gjëja më e rëndë për të gjithë ne ishte të shihnim ndryshimin e flamurit tonë me një tjetër. Ne nuk do ta pranojmë atë flamur, nuk do ta pranojmë që të jetë një përfaqësim i Afganistanit dhe kurrë nuk do të pranojmë një sundim të terrorit apo të këtij regjimi", thotë ajo.
Por Obaidullah Sadaqat, i cili punoi me ushtrinë amerikane në Afganistan për tetë vjet, thotë se e vetmja rrugë përpara për Shtetet e Bashkuara dhe bashkësinë ndërkombëtare është bashkëpunimi me talibanët.
Obaidullah Sadaqat, ish-punonjës i trupave amerikane në Afganistan-Skype
"50 vendet që kanë ndihmuar qeverinë afgane duhet t’i konsiderojnë ata si një qeveri afgane dhe duhet të përpiqen të kenë një komunikim të mirë me ta", thotë ai.
Mozhgan Wafiq Alokozai, e cila jeton në shtetin amerikan të Virxhinias, nuk e di se çfarë do të ndodhë me akademinë e saj arsimore, që ofron klasa në internet dhe trajnime profesionale për gratë afgane.
Ndërsa talibanët po thonë se gratë do të kenë mundësi të arsimohen, grupi i mëparshëm i talibanëve nuk i lejonte të ndiqnin shkollat.
“Unë i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të shpëtojë vendin tim, ju lutem, ndihmoni popullin tim. Ju lutem, mos i lini të vetëm”, thotë Mozhgan Wafiq Alokozai.