Shqipëria ka zyrtarisht 70 mijë persona të prekur nga diabeti, që trajtohen nga fondi i sigurimeve shëndetësore, ndërsa çdo vit shtohen 2-3 mijë të sëmurë të rinj. Kjo shifër është dyfishuar brenda një dekade. Eksperët besojnë se diabeti mund të ketë prekur realisht mbi 150 mijë persona, ose 7-10 për qind të popullsisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Diabeti zë vendin e dytë në listën e barnave më shumë të rimbursuara nga fondi i sigurimeve. Ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, thotë se po rritet edhe numri i fëmijëve të prekur nga diabeti. Në Institutin e Shëndetit Publik pohojnë se zbulimi sa më i hershëm i diabetit është me rëndësi të madhe, sepse më vonë ai bëhet shumë i kushtueshëm. Aktualisht, një numër i madh i diabetikëve janë me insulina, në fazë të rënduar.
Fëmijët, të rinjtë dhe prindërit e prekur nga diabeti kanë krijuar edhe një shoqatë të tyren për të ngritur zërin mbi nevojat e tyre në rritje. Asim Toro drejtuesi i kësaj shoqate, thotë se shteti mbulon vetëm një të tretën e shpenzimeve për mjekimin e një personi me diabet. Krahas fëmijëve, diabeti po prek më shumë edhe grup-moshat 40-60 vjeç, pra po shkurtohet jeta me cilësi dhe po prishet cilësia e jetës.
Një nga mjekët më të njohur në Shqipëri për diabetin, dr. Petrit Hoxha, thotë se diabeti po përhapet me shpejtësi deri në dyfishim. Të sëmurët diabetikë, thotë ai, janë tashmë një numër shumë i madh, që meritojnë një kujdes përherë e më të madh.
Mjekët thonë se diabeti është i përhapur në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë vendin, derisa 1 e 3 e të prekurve janë në kryeqytet. Matje dhe kontrolle të thjeshta mund të shmangin diabetin në familjet shqiptare, të cilat nuk i kushtojnë rëndësi ushqimit dhe kujdesit shëndetësor.