Në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi me shumicë dërrmuese votash një ligj, i cili do t’i jepte fund grumbullimit të tabulateve telefonike të amerikanëve.
Ligji, i njohur si Akti i Lirisë i Shteteve të Bashkuara, u miratua mbrëmë, me 338 vota pro dhe 88 kundër. Në vend të tabulateve masive të telefonatave, përfshirë datën, kohën dhe gjatësinë e bisedave telefonike, ligji kërkon që Agjencia e Sigurisë Kombëtare, NSA, t’i marrë regjistrimet nga kompanitë private të telefonave, me urdhër gjykate, nga një gjykatë sekrete e sigurisë kombëtare.
Programi i përgjimeve u kritikua nga mbështetësit e të drejtave civile, pasi ish-kontraktori Edward Snowden ia bëri të njohur atë gazetarëve në vitin 2013. Ligji u mbështet gjerësisht në Dhomën e Përfaqësuesve, si nga demokratët liberalë, edhe nga konservatorët republikanë, po ashtu edhe nga Presidenti Barak Obama.
Ligji do t’i shkojë Senatit, ku ai kundërshtohet me forcë nga udhëheqësi i shumicës Mitch McConnell, i cili mbështet një tjetër ligj, që do ta rikthente në fuqi programin e tanishëm.
Megjithatë, një grup i madh ligjvënësish nga të dyja partitë kërkojnë që t’i jepet fund programit të NSA-së, gjë që do ta detyronte zotin McConnell ta hedhë atë në votë në Senat.