Dhjetëra mijëra në “Marshimin e Shekullit” në Paris

Rreth 36 mijë njerëz u mblodhën në Paris gjatë fundjavës për të kërkuar marrjen e masave për ndryshimet klimatike.

Iniciativa filloi me një vajzë 16-vjeçare nga Suedia dhe u shndërrua në atë që grupet mjedisore e quajtën “marshimi i shekullit” në Francë.

“Është kombinim i të gjithave. Jemi mbledhur me ëndrrën e përbashkët për një të ardhme më të mirë”, thotë Alice, studente në Paris.

Marshimi ndodhi ndërsa prej muajsh në mbarë Francën kanë shpërthyer protestat e “jelekëve të verdhë”. Edhe në radhët e tyre ka demonstrues që thonë se bota nuk mund të rrijë më pa vepruar për ndryshimet klimatike.

“Unë kujdesem për mjedisin dhe mendoj se jemi drejt një katastrofe. Fatmirësisht, rinia ka dalë të na tregojë se vërtet duhet të veprojmë. Jam këtu për të mbështetur këtë lëvizje sociale historike dhe të paprecedentë”, thotë Marine, ish-arsimtare dhe protestuese.

Pjesëmarrësit në këtë marshim thonë se ka vetëm një mënyrë për të mbrojtur planetin.

“Duhet të veprojmë tani që të sigurohemi se do të kemi një botë që mbështet jetën për brezat e ardhshëm”, thotë Tomas Tueey, shkencëtar dhe protestues.

Demonstratat e të shtunës erdhën vetëm disa javë pasi një adoleshente evropiane filloi të protestonte përballë zyrave të ligjvënësve.

“Quhem Greta Thunberg. Jam 16 vjeçe, nga Suedia. Çdo të premte lë shkollën për të protestuar tek parlamenti suedez, ashtu si qindra mijëra fëmijë të tjerë në mbarë botën”, thotë Greta Thunberg, aktiviste për klimën.

Tashmë, tre anëtarë të parlamentit norvegjez e kanë propozuar Gretën për Çmimin Nobel të Paqes.

Studentë nga mbarë bota i bashkohen protestës së saj çdo të premte dhe grupet mjedisore thonë se ajo frymëzoi organizimin e së shtunës në kryeqytetin francez.