Dështojnë përpjekjet për të ndalur rrezatimin nga centrali bërthamor në Japoni

  • Zëri Amerikës

Dështojnë përpjekjet për të ndalur rrezatimin nga centrali bërthamor në Japoni

Zyrtarët e sigurisë bërthamore thonë se përpjekjet për të mbyllur një të çarë në centralin e dëmtuar në Japoni kanë dështuar dhe tani ekipet po mundohen të ndërpresin rrjedhën e ujit radioaktiv në një tjetër mënyrë.

Zëdhënësi për sigurinë bërthamore Hidehiko Nishiyama u tha gazetarëve të shtunën se uji mund të jetë duke rrjedhur në Oqeanin Paqësor nga një e çarë 20-centimetërshe në një objekt mirëmbajtjeje të centralit bërthamor të Fukushimës.

Kompania e energjisë elektrike “Tokyo” hodhi beton, duke u munduar për ta mbyllur të çarën, por përpjekja e tyre dështoi.

Kompania tha sot se inxhinierët do të fusnin një lëndë absorbuese nëpër tubacione në përpjekje për të ngadalësuar, ose ndalur rrjedhjen.