Është një eveniment tepër i rëndësishëm, jo thjesht për gazetarinë por edhe për shumëçka tjetër sepse Zëri i Amerikës është një zë i cili përveç shembullit të jashtëzakonshëm të një gazetarie profesionale ka ndikuar fuqishëm edhe në zhvillimet politike të vendeve të ndryshme, sidomos do të thoja në zhvillimet politike të vendeve të Lindjes ku rrethimi i atëhershëm diktatorial ka qenë i tillë saqë pak depërtonin zërat e së vërtetës, zërat e demokracisë në këto vende; dhe është e njohur që Zëri i Amerikës edhe përpara viteve ’90 dëgjohej shumë nga shqiptarët madje dëgjohej edhe fshehurazi sepse kuptohet ishte e ndaluar të dëgjohej e të komentohej Zëri i Amerikës. Por në historinë e zhvillimeve politike të Shqipërisë, gjithmonë ajo çfarë dëgjohej në Zërin e Amerikës, komentohej në mënyra të ndryshme dhe kishte një ndikimi të jashtëzakonshëm në mentalitetin, në qëndrimet, në opinionet e njerëzve.
Unë mund të kujtoj nga koha që kam qenë i ri jo vetëm që dëgjohej, por në klubin e fshatit tim komentohej Zëri i Amerikës dhe nuk thonin njerëzit çfarë thotë Zëri i Amerikës, por përmendnin emrin e një emigranti nga fshati që ishte në Amerikë dhe thoshin: “Ç’thotë filani…?” dhe kjo bëntë që ata njerëz që e komentonin, ta kuptonin se për se bëhej fjalë.
Ndërkohë, unë e kam dëgjuar për herë të parë Zërin e Amerikës kur kam qenë gjimnazist në Kukës. Disa njerëz të afërt të mi e dëgjonin fshehurazi dhe unë pata rastin që të bashkohem për ta dëgjuar, por pastaj e kam vlerësuar edhe si gazetar sepse profesioni im ka qenë gazetar. Natyrisht gazetaria që ne bënim atëherë ishte krejt e kundërta me atë që kishte Zëri i Amerikës nga pikpamja e qëndrimeve politike. Por nga pikpamja e profesionalizmit, Zëri i Amerikës ka qenë për t’u marrë gjithmonë shembull, ka qenë një shkollë e madhe e gazetarisë, qoftë edhe për gazetarët shqiptarë dhe sidomos pastaj edhe gjatë momenteve të zhvillimeve demokratike në Shqipëri ndikimi i Zërit të Amerikës ka qenë i jashtëzakonshëm.
Unë këtu do të doja të vlerësoj edhe atë zë të fuqishëm të këtij emisioni të madh siç është zoti Elez Biberaj, një gazetar i shkëlqyer, një patriot dhe një njeri i cili i ka dëshiruar gjithmonë të mirën vendit të vet. Ardhja e tij për herë të parë në Shqipëri bashkë me Sekretarin e Shtetit, zotin Baker, ka qenë njohja e parë publike e shqiptarëve me këtë zë që përfaqësonte zërin e së vërtetës nga Uashingtoni.