Danezët të tronditur nga sulmet

Danezët vazhdojnë të vendosin lule në vendet e sulmeve të fundjavës në Kopenhagë. Të shtunën pasdite, një 22 vjeçar i armatosur hapi zjarr në një kafene në Kopenhagë ku po zhvillohej një debat i fjalës së lire, duke vrarë një person. Më pas ai sulmoi një sinagogë duke vrarë një roje. Sulmuesi më pas u qëllua për vdekje nga policia.

Jashtë sinagogës ku ndodhi sulmi i dytë, është një lum me lule, qirinj, flamuj dhe mesazhe.

Vrasjet kanë tronditur danezët, që krenohen si një vend i sigurtë dhe mikëpritës.

``Të gjithë janë të shokuar, të gjithë flasim për to në median sociale dhe kudo. Kemi krijuar një llogari në twitter për të treguar dashurinë dhe dhimbshuri për viktimat dhe familjet e tyre”, thotë Stephanie Rasness.

Sulmet kanë lënë disa danezë të ndihen të frikësuar për sigurinë e tyre. Banorja e Kopenhagës Petra Miller thotë se ndjehet e pasigurtë.

``U ula në tren dje dhe një burrë me shall ishte ulur pas meje dhe vendosa të zbrisja nga treni pasi kisha frikë'' thotë ajo.

Një banor tjetër Leif Henriksen thotë se është i irrituar që gjëra të tilla mund të ndodhin në Danimarkë.

“Bëhesh vetiu pa fjalë dhe bie në mendime. Më vjen keq që këto gjëra mund të ndodhin në shoqërinë time”.

Buqeta me lule janë vendosur edhe pranë lokalit ku ndodhi sulmi i parë.

Danimarka u bë objektiv sulmesh nga ekstremistë islamikë 10 vjet më parë, pas publikimit të karikaturave të profetit Muhamed, imazhe që çuan në protesta të dhunshme në botën muslimane.

Sulmet kanë dominuar median lokale ku po ngrihen pyetje në se Danimarka duhet të forcojë masat e sigurisë. Edhe para sulmeve, parlamenti zhvilloi një debat në se duhet të miratonte një ligj që do të lejonte autoritetet të konfiskonin pasaportat e të rinjve të radikalizuar që kërkonin të udhëtonin në Lindjen e Mesme.