Demaçi, thirrje për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës

Demaçi, thirrje për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës

Veprimtari i njohur nga Kosova, Adem Demaçi mori sot titullin “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të Prishtinës. Ky çmim iu dha për "kontributin e tij për çështjes kombëtare shqiptare, angazhimin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe për angazhimin në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut".

Zoti Demaçi, bëri thirrje sot për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës, ndërsa u zotua se do të vazhdojë të jetë zëri kritik ndaj zhvillimeve në vend. Ai tha po ashtu se bisedimet e paralajmëruara me Beogradin, nuk kanë arsye të ndodhin për faktin se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Adem Demaçi ishte i burgosuri më i njohur politik në ish Jugosllavi. Ai vuajti në tri dënime të njëpasnjëshme mese 28 vjet burg me çka fitoi edhe epitetin “Mandela i Kosovës”. Pas lirimit nga burgu, ai drejtoi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive te Njeriut për pesë vjet me radhë. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.

Gjatë luftës në Kosovë ishte zëdhënës politik i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktualisht, zoti Demaçi, autor i shumë librave, drejton Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.