Shkallët prej guri që të çojnë në manastirin mesjetar ku vijnë besimtarët ortodoksë serbë janë dëmtuar nga koha. Brenda, drita mezi depërton. Disa pelegrinë përulen me nderim mbi varrin e mbretit Stefan Deçanski, që shihet nga serbët si një "monark i shenjtë". Të tjerë ndezin qirinj.
Shumë nga pelegrinët kanë udhëtuar gjashtë orë për të ardhur nga Beogradi për t'u lutur këtë të dielë në një prej kishave ortodokse më të adhuruara nga serbët. Është Manastiri i Deçanit, i shekullit të 14 të.
Për shumë serbë, Deçani është një manastir i rrethuar. Përqark tij banojnë shqiptarët e Kosovës. Ai ndodhet thellë në territorin e Kosovës, që u shkëput nga Serbia në vitin 1999 pas një ndërhyrjeje të NATO-s nën udhëheqjen e SHBA.
Kisha u sulmua gjatë luftës së Kosovës, konflikt që filloi për shkak të shtypjes masive kundër shqiptarëve nga forcat serbe. Serbët ndërmorën një fushatë spastrimi etnik, duke dëbuar mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre. Ata u akuzuan nga grupet e të drejtave dhe qeveritë perëndimore edhe për shkelje të tjera të rënda, përfshirë rrëmbime dhe vrasje.
Lufta mori fund pas ndërhyrjes së NATO-s, e udhëhequr nga SHBA.
"Kemi përjetuar një kohë shumë të vështirë që nga konflikti i fundit në Kosovë," thotë At Sava Janjiç, famulltar i manastirit.
"I fundit" është ndoshta fjala e duhur për këtë rast, duke nënkuptuar mundësinë e konflikteve të tjera në të ardhmen.
Dhe, duke parë nga një vështrim i gjatë historik, nuk është e vështirë të përfytyrohet se dikur në të ardhmen, murgjit e Deçanit mund të dëgjojnë përsëri jehonën e frikshme të luftës rreth tyre - si shumë kisha dhe xhami të tjera ballkanike të ndodhura në anën e gabuar të historisë.
Kisha është plaçkitur gjatë shekujve nga trupat osmane, nga ushtarët austro-hungarezë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo ishte në shënjestër të shkatërrimit nga nacionalistët shqiptarë dhe fashistët italianë. Gjatë luftës së Kosovës, e fundit në një seri luftërash ballkanike në vitet 1990, kisha u sulmua pesë herë. Në maj të vitit 1998, dy shqiptarë të moshuar u vranë 400 metra nga muret e manastirit, siç thuhet nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nën dyshimet se bashkëpunonin me forcat serbe.
"Kjo është një nga zonat më të turbullta politike në Evropë. Ballkani gjithmonë ka qenë në udhëkryq të qytetërimeve dhe pushtimeve," thotë At Sava.
Ndërsa bisedonte me Zërin e Amerikës, ushtarë nga forca paqeruajtëse e NATO-s patrullonin bazat - siç kanë bërë çdo ditë që nga përfundimi i luftës.
"Që nga viti 1999, kemi pasur tre sulme mortajash dhe një me raketahedhëse. Falë Zotit nuk pati asnjë dëm dhe askush nuk u lëndua", thotë At Sava, i cili e quan veten një mbështetës i fortë i paqes dhe tolerancës multietnike.
Atij i pëlqen të mendojë për kishën si "strehë për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë". Gjatë luftës, kisha strehonte jo vetëm familjet serbe, por edhe shqiptarët dhe romët e Kosovës.
Ai shton: "Unë ende përpiqem të besoj se shumica e shqiptarëve të Kosovës nuk bartin ndjenja negative ndaj nesh. Por shumë shpesh ne thjesht na shohin si serbë. Kjo kishë shihet si diçka e huaj këtu, si një lloj kërcënimi për identitetin e ri të Kosovës".
Ai thotë se shqiptarët e Kosovës nuk duhet të kenë frikë nga kisha ose ta shohin atë si përfaqësuese të ndonjë gjëje të keqe nga e kaluara. Ai thotë se shpreson se njerëzit do ta shohin kishën si një shenjë të një të ardhmeje të mundshme, ku të përqafohet shumetniciteti.
Kjo kërkesë e tij i bën jehonë atyre të klerikëve të tjerë ballkanikë - ortodoksë dhe muslimanë - që e gjejnë veten e tyre, objektet e tyre të adhurimit dhe pasuesit e tyre, në pozitë të vështirë, të braktisur si ishuj konflikti apo armiqësie.
Por ai nuk është i sigurt nëse serbët dhe shqiptarët do të mund ta lënë pas konfliktin. Mosmarrëveshjet vazhdojnë dhe harta e kufijve të Ballkanit nuk e bën aspak të lehtë zgjidhjen.
Presidentët e Serbisë dhe të Kosovës po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimeve të kufijve, në përpjekje për të arritur një zgjidhje historike e cila, nëse nënshkruhet, mund të avancojë kërkesat e vendeve të tyre për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ndërkaq për Kosovën që shpalli pavarësinë në vitin 2008, të sigurojë anëtarësimin në OKB. Më shumë se 100 vende e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por jo Serbia. BE ka thënë se nuk do të shqyrtojë avancimin në bisedimet e anëtarësimit pa një pajtim mes Beogradit dhe Prishtinës.
Shumica e udhëheqësve të BE-së janë kundër çdo ndryshimi të kufirjve në Ballkan, me frikën se çdo ndryshim i madh ose i vogël mund të shkaktojë një kthim të dhunës etnike.
Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare John Bolton në fillim të këtij viti la të kuptohet se Uashingtoni mund ta pranojë idenë e ndryshimeve kufitare.
Ambasadori i SHBA në Greqi, Geoffrey Pyatt, u tregua më i kujdesshëm në lidhje me një marrëveshje për shkëmbim territoresh, por e la derën të hapur. Në një intervistë me Zërin e Amerikës gjatë një konference ndërkombëtare për tregtinë në Selanik, zoti Pyatt tha: "Nuk ka një çek të bardhë… Ajo për të cilën kemi qenë shumë të qartë është se ky proces duhet të jetë në pronësi lokale dhe i nxitur nga faktori vendës, ndërkaq ne po mbështesim përpjekjet e Bashkimit Evropian për të arritur përparim".
Janë diskutuar variante të ndryshme për shkëmbime të mundshme territoresh, thanë zyrtarët në Beograd dhe Prishtinë. Një variant i mundshëm do të ishte shëmbimi i territoreve në veri të Kosovës ku banojnë serbë me ato në Luginën e Preshevës të banuara me shqiptarë. Kjo nuk do ta ndihmonte shumicën e serbëve në Kosovë, të cilët janë të përhapur në jug dhe perëndim të vendit.
At Sava shqetësohet se çdo lloj marrëveshjeje për shkëmbimin e territoreve, nëse ndodh, do të përbënte një spastrim etnik "paqësor".
"Shkëmbimi i tokave, ku shumica e serbëve të Kosovës jo vetëm do të liheshin në territorin e shumicës shqiptare, por ndoshta do të detyroheshin të largoheshin, do të ishte shumë i padrejtë," tha ai.
Ultra-nacionalistët në të dyja anët refuzojnë me forcë shkëmbimet e tokës.
Udhëheqësi kryesor i opozitës në Serbi, Vojislav Sheshel, e hedh poshtë idenë. "Si mund të flitet kështu! Kosova është thjesht pjesë e Serbisë," tha ai për Zërin e Amerikës. Shesheli, i cili shihet nga shumë njerëz si ekstremist, tha se Kosova është duke u pushtuar në mënyrë të paligjshme, për shkak të ndihmës nga Perëndimi, dhe veçanërisht nga Amerika.
"Ne nuk do të shkëmbejmë toka," tha Shesheli. "Ata mund të kenë vetëm nivelin më të lartë të autonomisë. Ne nuk do ta njohim pavarësinë e tyre," theksoi ai.
Shesheli, dikur zëvendës i kreut serb të kohës së luftës Sllobodan Millosheviç, u shpall fajtor nga gjykata e OKB-së për krime kundër njerëzimit për nxitjen e dëbimit të kroatëve nga fshati Hrtkovci në maj 1992. Ai argumenton se serbët dhe shqiptarët nuk mund të jetojnë së bashku dhe se duhet të jenë në komunitete të ndara. "Shqiptarëve në Kosovë mund t’u lejohen disa të drejta vetadministruese", tha ai.
Disa muaj më parë, nacionalistë shqiptarë të Kosovës, të udhëhequr nga veteranët e luftës së viteve 1998-1999, sabotuan një vizitë të planifikuar dy-ditore nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Kosovë duke bllokuar rrugët dhe djegur goma. Veprimi i tyre tregoi se sa delikate mund të jetë situata. Banje, fshati në perëndim të kryeqytetit, Prishtinë, që Vuçiç kishte planifikuar të vizitonte, ishte skena e goditjes së parë nga trupat serbe kundër luftëtarëve shqiptarëve në vitin 1998, gjë që shkaktoi shpërthimin e armiqësive të hapura.
"Të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi u përqendruan tek territori dhe ndarja, dhe nëse vazhdojmë me idenë e territorit, kjo do të ishte e rrezikshme dhe do të ndizte pasionet nacionaliste", paralajmëron Natasha Kandiq, një aktiviste serbe për të drejtat e njeriut dhe kandidate për çmimin Nobel për Paqen.
Diskutimet për shkëmbimin e territoreve duket se janë mbyllur tani për tani. Por mund të rihapen.
Ata Sava ka të njëjtin shqetësim. "Ne ende shohim njerëz që po skicojnë harta, dhe këto harta në vitet 1990 u bënë në fakt fusha të vrasjeve. A kemi ende nevojë për këto gjëra sot?" pyet ai. "Përpiqem të shpresoj se politikanët do ta shohin rrezikun për të mos i hyrë përsëri kësaj historie.”