Forumi ekonomik botëror i Davosit

Më shumë se 2,500 udhëheqës biznesi, qeverish dhe shoqatash akademike e civile pritet të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos të Zvicrës. Në takim, i cili zhvillohet nga 22 deri më 25 janar, do të diskutohet rreth sfidave të botës së sotme në ndryshim.

Si në vitet e kaluara, Forumi Ekonomik Botëror do të shoqërohet me plot reklama, ndërkohë që do të merren masa të shumta sigurie në qytetin e vogël të Alpeve zvicerane për të mbrojtur disa prej personaliteteve më të shquara të botës.

Mes më shumë se 40 kryetarë shtetesh që pritet të marrin pjesë janë kryeministrat e Australisë, Japonisë dhe Britanisë së Madhe si dhe presidentët e Meksikës, Koresë së Jugut dhe Brazilit. Për herë të parë që nga viti 2004, një president i Iranit do të shkojë në Davos. Organizatorët e Forumit thonë se Hassan Rouhani do të flasë rreth vendit të Iranit në botë dhe do të paraqesë pikpamjet e tij të marrëdhënieve të Teheranit me pjesën tjetër të botës.

Pjesëmarrësit do të marrin pjesë në diskutimin e fushave të ndryshme. Shumë prej tyre do të marrin pjesë në diskutime komisionesh të përqëndruara në temën e këtij viti: “Riformimi i botës: Pasojat për shoqërinë, politikën dhe biznesin".

Themeluesi i forumit dhe kryetari ekzekutiv, Klaus Schwab, thotë se disa prej mëndjeve më të ndritura do t’u kërkohet të zgjidhin kompleksitetet e botës. Ai thotë se atyre do t’u kërkohet të shqyrtojnë çështje të vështira, si për shembull situata në Lindjen e Mesme. Atyre do t’u kërkohet gjithashtu që të ofrojnë zgjidhje rreth çështjeve shumë të vështira të botës, përfshirë fushat e reja dixhitale dhe teknologjike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe ngrohja globale.

“Ajo që duam të bëjmë këtë vit në Davos në këtë fushë është të fillojmë nga e para. Bota është shumë e mbërthyer në menaxhimin e krizave dhe harrojmë se duhet të gjejmë zgjidhje për çështje të rëndësishme. Ne duhet ta shikojmë të ardhmen në një mënyrë shumë më konstruktive dhe strategjike.”

Mes çëshjeve më të rëndësishme janë sesionet mbi ndryshimet klimatike dhe objektivat e zhvillimit pas vitit 2015, e ardhmja e shëndetit dhe kujdesit shëndetësor si dhe problemi i rëndësishëm i papunësisë mes të rinjve.

Sesione të tjera përfshijnë diskutime mbi perspektivat e ekonomive të rëndësishme si Kina, India, Brazili, Meksika dhe Rusia. Do të diskutohet edhe mbi të ardhmen e Afrikës veriore dhe Lindjes së Mesme. Edhe Afrika do të zerë një vend të rëndësishëm, por ndryshe nga vitet e mëparshme. Gati 40 udhëheqës afrikanë, mes tyre 9 kryetarë qeverish do të marrin pjesë, mes tyre presidentët e Tanzanisë, Ruandës, Nigerisë, Ganës dhe Liberisë.

Në një largim nga praktika tradicionale, drejtoresha e Forumit ekonomik botëror për Afrikën, Elsie Kanza, thotë se këtë vit nuk do të ketë sesione zyrtare për Afrikën. Ajo i tha Zërit të Amerikës se çështjet e Afrikës do të diskutohen krahas takimit kryesor të forumit ose do të integrohen në çështje të tjera globale.

“Komuniteti afrikan natyrisht që mendon se çështjet shqetësuese për Afrikën janë shumë të rëndësishme, por që nuk duhet të diskutohen si të veçanta por si pjesë e çështjeve globale dhe forumi i Davosit është një platformë globale dhe ne do të shërbejmë si zëri i Afrikës në këto çështje globale.”

Zonja Kanza thotë se udhëheqësit afrikanë nuk duan që çështjet e tyre të trajtohen si raste të izoluara, por duan të shikohen si të barabartë me gjithë pjesëmarrësit e tjerë. Ata thonë se duan që forumi i Davosit të përqëndrohet më shumë në vendin e Afrikës në botë dhe jo në një kontinent apo rajon në formën e tij origjinale.